Ngjarje

Biznesi e farmacitë, ushqime dhe ilaçe rezervë për 3 muaj, ndryshe 5 mln gjobë

Qeveria ka ndryshuar sërish aktin normativ "Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”, duke kërkuar marrjen e masave për furnizimet ushqimore dhe medikamente.
"Të gjitha subjektet që tregtojnë produkte ushqimore dhe produkte të tjera, me shumicë, të domosdoshme për përballimin e situatës së epidemisë, janë të detyruar të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së shkaktuar nga infeksioni COVID-19", thuhet në vendimin e marrë nga qeveria.

Treg fruta-perime, foto ilustruese. Gazeta "Si", 25 mars 2020


Gjithashtu si për garanci për biznesin që të mos falimentojnë, apo mallrat të mos i mbesin stoqe, qeveria ka bërë të ditur se do t'i blejë për rezervat shtetërore.
"Mallrat e blerë, me qëllim përballimin e situatës, në rast kur me përfundimin e situatës së epidemisë nuk janë shitur në tregun e lirë, me kërkesë të subjektit, mund t’i shiten Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, sipas faturës me të cilën këto mallra janë blerë. Rregullat dhe procedurat për blerjen e këtyre mallrave nga Drejtoria e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave", thuhet në këtë vendim të akt normativ.

Farmaci, foto ilustruese. Gazeta "Si" 25 mars 2020


Por, qeveria në të njëjtën kohë thekson se në rast se nuk e zbatojnë këtë urdhër kompanitë e barnave dhe të furnizimit të mallrave ushqimorë më shumicë do të kenë penalizime. "Mosmarrja e masave, sipas përcaktimit të parashikuar dënohet me gjobë në masën 5 milionë lekë dhe me përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.”, thuhet në këtë vendim.
Gjithashtu qeveria kërkon që edhe firmat farmaceutike të blejnë rezerva të medikamenteve për përballimin e situatës së koronavirusit. "Të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë barna/pajisje mjekësore, subjekte që prodhojnë barna dhe pajisje mjekësore dhe subjektet që ofrojnë shërbime shëndetësore, të jenë në gadishmëri dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizime me barna dhe pajisje mjekësore dhe për të ofruar shërbime shëndetësore të nevojshme, në kuadër të përballimit të situatës së emergjencës së shkaktuar nga COVID-19", thuhet në këtë akt. Porse ndryshe nga firmat e tregtisë së mallrave ushqimorë, për kompanitë e barnave, qeveria nuk i jep një garanci se mund t'i blejë ato në të ardhmen, duke nënkuptuar me kalimin e situatës.

Akti ka pësuar ndryshime dhe për faktin se qeveria mund të marrë nën administrim godinat për qëllime të saj. Kjo do të vendoset pas propozimit të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë, Ogerta Manastirliu dhe dhe të ministrit përgjegjës për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ku çdo strukturë, objekt tjetër që konsiderohet i domosdoshëm, vendoset në dispozicion për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19.
Në propozimet e paraqitura është ndryshuar edhe pikat 17 e aktit sa i përket masave ndëshkimore për këmbësorët dhe individët që shkelin rregullat e lëvizjes në fashën e përcaktuar.

Kontrolle te policise, Gazeta "Si" 25 mars 2020

“Individët, të cilët nuk zbatojnë urdhrin e dhënë nga organet kompetente për kufizimin e lëvizjes vetëm në fasha orare të caktuara dhe të pashoqëruar me persona të tjerë në krah, dënohen me gjobë 10 000 lekë, dhe me mospërfitimin nga paketa financiare e solidaritetit dhe bllokim 3 muaj të automjetit privat, nëse e disponon një të tillë", thuhet në këtë akt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë