Treg

Bizneset shqiptare më në vështirësi se vendet e rajonit për të gjetur punonjës IT

Nga Gazeta ‘Si’-Krahas profesioneve të tjera, bizneset shqiptare po hasin vështirësi edhe në gjetjen e punonjësve të IT (teknologjia e informacionit).

Sipas të dhënave të Eurostat, 67.8% e ndërmarrjeve shqiptare që kanë rekrutuar ose janë përpjekur të rekrutojnë specialistët e IT në vitin 2021 kanë pasur vështirësi në plotësimin e vendeve të punës.

Kjo përqindje është më e larta në rajon dhe është mbi mesataren e BE-së prej 62.8%.

Në rajon, shtetet që kanë më pak vështirësi të gjejnë fuqi punëtore në ICT janë Serbia (53.9%) dhe Mali i Zi (41.6%) të cilat kanë edhe pagat më të larta për këto profesione në rajon.

Mungesa e aplikimeve, kualifikimeve dhe pritshmëri për paga të larta, vështirësitë kryesore

Sipas Eurostat, vitin e kaluar, pothuajse 1 në 10 (9.5%) ndërmarrje në BE, raportuan se në vitin 2021 rekrutuan, ose po përpiqeshin të rekrutonin specialistë të TIK-ut dhe 62.8% e këtyre ndërmarrjeve, kishin vështirësi në plotësimin e këtyre vendeve të lira.

Kur merret parasysh madhësia e ndërmarrjes, përqindja e ndërmarrjeve, që rekrutuan ose u përpoqën të rekrutonin, por u përballën me vështirësi, ishte dukshëm më e lartë në mesin e ndërmarrjeve të mëdha (72.2%).

Megjithatë, përqindjet ishin gjithashtu të larta, midis ndërmarrjeve të mesme (63.7%) dhe ndërmarrjeve të vogla (59.9%).

Midis anëtarëve të BE-së, në Slloveni (78.0%), Çeki (77.0%) dhe Gjermani (76.6%), mbi tre të katërtat e ndërmarrjeve, që rekrutuan ose u përpoqën të rekrutonin specialistë TIK, kishin vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të TIK-ut.

Luksemburgu (70,9%) dhe Holanda (70,4%) renditen në vazhdim, me një pjesë të konsiderueshme të bizneseve, që përballeshin me të njëjtat vështirësi.

Përqindjet më të ulëta u regjistruan në Spanjë (32.8%), Bullgari (46.0%), Poloni (46.5%), Sllovaki (51.4%) dhe Qipro (54,5%).

Vështirësitë, që hasën ndërmarrjet gjatë përpjekjes për të rekrutuar specialistë të TIK-ut, ishin mungesa e aplikimeve, mungesa e kualifikimeve dhe përvojës përkatëse dhe pritshmëritë e larta për paga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë