Biznes

Bizneset që janë mbyllur në fillim të këtij viti

Tatimet raportojnë se për vitin 2019 kanë kaluar në status pasiv 4,454 tatimpagues ose 640 të tillë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Tatimet sqarojnë se ka dy mënyra për kalimin në këtë status – vetë Tatimpaguesi kërkon pezullimin e aktivitetit në sportelet e QKB dhe Tatimpaguesit që përmbushin kushtin ligjor, pra nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike për 12 periudha tatimore mujore të njëpasnjëshme apo janë mos deklarues për 12 periudha, të cilët kalojnë automatikisht nga sistemi në status pasiv.

Nga të dyja këto kanale, rezultojnë që 3 429 tatimpagues të kenë ndërprerë aktivitetin e biznesit të tyre, krahasuar me të njejtën periudhë të 2018 (3 802). Kurse 1025 biznese kanë kaluar në status pasiv në mënyrë elektronike nga vetë sistemi.

Tatimet shpjegojnë se në çdo rrethanë leximi i këtyre shifrave nuk mund të jetë i ngurtë, pasi në praktikën e përditshme shumë tatimpagues që kanë ndërprerë veprimtarinë nëpërmjet pezullimit të aktivitetit në QKB, kryejnë çdo ditë dhe riaktivizim të veprimtarisë pranë sporteleve të saj dhe kalojnë nga statusi Pasiv në Aktiv.

Për periudhën Janar – Prill 2019, rezulton se 1,456 tatimpagues kanë ndryshuar status nga Pasiv Aktiv.

Në Ligjin “Për Procedurat Tatimore”, i ndryshuar, për Tatimpaguesit që pezullojnë apo ndërpresin aktivitetin në QKB është vendosur kushti që tatimpaguesit duhet të kenë paguar detyrimet tatimore deri në datën e pezullimit.

Sipas tatimeve, qëllimi i këtij ndryshimi është disiplinimi i disa tatimpaguesve që ndërpresin aktivitetitn në QKB, duke mos qenë korrekt me deklarimin e tyre lidhur me afatin e pezullimit, pasi veprimet e pezullimit i bëjnë më shumë se njëherë brenda vitit, por edhe për të ulur kostot e administrimit nga Administrata Tatimore për këta tatimpagues.
Ndërveprimi midis DPT dhe QKB, mbi listën e tatimpaguesve që kanë detyrime tatimore të papaguara, thonë tatimet, tashmë bëhet në mënyrë elektronike.

 

Më Shumë