Ekonomi

Bizneset: Po falimentojmë për shkak të rrjetit rrugor të vendit

Bizneset thonë se gjendja e vështirë e rrugëve në vend po i çon drejt falimentit. Është Konfindustria që ngre zërin pas sinjalizimeve që i kanë bërë prej kohësh bizneset.

Nga të dhënat që Konfindustria disponon, thotë se gjendje e vështirë paraqitet në pjesën e superstradës kombëtare Gosë-Rrogozhinë me fluks mjaft të lartë lëvizjeje për pjesën Jugore, Qëndrore si dhe Korridorin 8.

Rruga paraqet cilësi të dobët ndërtimore, dëmtuar në shumë pjesë të saj dhe ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur shkatërrimin e plotë dhe parandalimin e aksidenteve.

Rruga Përmet-Çarshovë në kufi me Greqinë është tërësisht e shkatërruar dhe jashtë cdo standardi në gjatësi prej më pak se 30 km, duke ndërprerë praktikisht qarkullimin në një zonë mjaft të gjerë të Shqipërisë Juglindore.

Pasojat thotë Konfindustria, janë të rënda në zhvillimin ekonomik të zonës, falimentim të bizneseve, industrisë turistike dhe emigrim masiv të popullatës.

Gjithashtu, e rënduar paraqitet gjendja dhe me ecuri të ngadaltë punimesh në rrugët Kukës- Morinë, Unazën e Fierit, të Vlorës, rrugën Tiranë-Ndroq-Durrës etj.

Sipas shoqatës së biznesit, është e domosdoshme rishikimi i strategjisë së shpërndarjes së financimeve buxhetore dhe kontratave koncesionare PPP në zhvillimin e investimeve në sistemin rrugor shqiptar.

Gjithashtu, thotë ajo, duhet vëzhguar zbatimi në praktikë i kontratave të mirëmbajtjes së rrugëve për të shmangur keqpërdorimin e fondeve buxhetore, korrupsionin dhe subjektivizmin me pasoja dhjetra milionë euro/vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë