Ekonomi

Këshilli Ekonomik, Rama: Do krijojmë Dhomën Ekonomike. Mete: Garancia e fasonëve mbulon deri në 70% të kredisë

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria ka rikthyer diskutimet për krijimin e Dhomës Ekonomike Kombëtare.

Në takimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri Edi Rama tha se po përgatitet projektligj, që do të imponojë të gjitha bizneset të regjistrohen, si një detyrim për integrimin në BE.

“Projektligji për dhomën ekonomike tregtare që është shumë i rëndësishëm, duhet t’ia imponojë të gjithëve të drejtën e regjistrimit si në çdo vend të tregut. Është një proces ku pushteti ekzekutiv, gjyqësor kanë detyrat e tyre që duhet t’i përmbushin sepse do të integrohet Shqipëria në BE. Do të ketë kostot e pashmangshme në këtë proces, do të duhet të bëjë sakrificat e veta në këtë proces. Do të duhet një emërues i përbashkët në këtë proces dhe kërkon dije, që nga mënyra se si funksion integrimi europian”, tha kryeministri duke shtuar se BE-ja s’i përket vetëm shtetit, por edhe privatit.

Më tej, ai vlerësoi dhe rritjen e pikëve për Shqipërinë nga agjencia Standard&Poor’s, duke thënë se vendi ka potencial për më shumë investime të huaja.

“Është hera e parë që Shqipëria ngjitet në këtë nivel të vendeve dhe nga ana tjetër investimet e huaja janë rritur ndjeshëm. Vizioni ynë shkon përtej, pasi ne kemi një potencial të ngjitemi në 4.5 miliardë. Patjetër, ne kemi synim të ngjitemi me një tjetër përmirësim. Sot teksa shohim të dhënat, trendet nuk është aspak e shfrenuar imagjinata, pasi shohim që turizmi rritet dhe sipërmarrja në turizëm nuk shtron problemin e pagave, por shtron problemin se të ketë të paguaj. Nga ana tjetër ne duam të kemi më shumë kontribut në të gjithë faktorët, se si do të parashtrojmë arsimin profesional në funksion të tregut dhe sigurisht dhe për moshat që nuk janë më mosha shkolle.”

Ministri i Financave, Ervin Meta, pjesë e takimit tregoi se garancia sovrane për sektorin e fasonëve do të mbulojë deri në 70% të kredive të këtyre bizneseve me normë interesi 1.5%.

Mete tha se janë marrë masa edhe për industrinë përpunuese, që ka patur trajtim të përshpejtuar për rimbursimet e TVSH-së dhe në fund të vitit të kaluar, niveli i rimbursimeve të prapambetura të TVSH-së për biznesit rezultoi zero.

Ministri rikujtoi rritjen e pagave që do të ndodhë në qershor dhe lehtësimet e parashikuara fiskale për të punësuarit.

“Rritja e pagave që synojmë të bëjmë në qershor shkon pikërisht në këtë logjikë që theksova të pasjes së mundësisë që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejmë në më tepër mirëqenie dhe mbështetje dhe besojmë se rritja e pagave në sektorin publik do të jetë shtysë edhe për sektorin privat, siç rezulton se ka qenë dhe përtej kësaj, siç e kemi përmendur këto ditë të kaluara, besoj se do të kemi hapësirë të bëjmë edhe disa lehtësime fiskale”, tha ministri Mete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë