Lajme

Bizneset e huaja zgjerojnë aktivitetin në Shqipëri

Sipas Bankës së Shqipërisë investimet e huaja direkte u rritën me 10 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit e njëkohësisht kompanitë me kapital të huaj kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë thotë se shifra e investuar nga kompanitë e huaja në Shiqpëri në periudhën 6 mujore arrin në mbi 535 milionë euro nga 486 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Statistikat tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre investimeve, rreth 353 milionë euro janë kapitale të reja. 182 milionë euro janë fitimet e riinvestura të kompanive të huaja që janë aktualisht prezente në Shqipëri.

Trendi i fluksit të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare ka qenë rritës vitete e fundit e në nivele relativisht të larta. Rekordi historik është shënuar vitin e kaluar kur bizneset e huaja investuan 1 miliardë e 21 milionë euro në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 2018-ën pjesa dërrmuese e investimeve nga jashtë u përqendrua vetëm në katër sektorë,; energjia, industria nxjerrëse, pasuritë e patundshme dhe sektori financiar. Ndërkohë që vetëm 10 për qind e tyre ishin në industrinë e përpunimit apo sektorë të tjerë që kanë vlerë të lartë të shtuar për ekonominë.
Kjo shpjegon pse investimet e huaja pavarësisht nivelit relativisht të lartë nuk kanë kontribuuar në masë në ekonominë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë