Treg

Bizneset do të paguajnë energjinë elektrike më lirë

Në fillim të vitit të shkuar ishin 90 biznese të lidhur në linjën 35 kilovotëshe, të cilët u detyruan të dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë jo nëpërmjet OSHEE-së.

Vetëm një pjesë e tyre arritën të gjejnë furnizues, ndërsa pjesa tjetër vazhdojnë të furnizohen nga OSHEE sipas periudhës tranzitore të caktuar, e cila zgjat deri në fund të 2019-s.

Pjesa e bizneseve që janë në treg të lirë në periudhën nëntor 2018 dhe mars 2019 i ka drejtuar Entit Rregullator të Energjisë një sërë ankesash për çmimin e lartë me të cilin faturoheshin.

Aktualisht metodologjia me të cilën janë përcaktuar tarifat për energjinë elektrike ka hasur probleme.

Kjo sepse për pjesën e bizneseve që do të dilnin në tregun e lirë ishte parashikuar që fillimisht do të bëhej në një hark dymujor.

Por ndryshimet ligjore bënë që koha tranzitore të vendosej dy vjet.

Nga ana tjetër çmimi referencë merrej çmimi më i lartë me të cilën ishte siguruar energjia në treg. Kjo çoi në një rishikim të faturave dhe ERE i kërkoi OSHEE që të bënte korrektimin e tyre.

Prandaj Enti Rregullator i Energjisë miratoi sot (e martë) një vendim që autorizon rishikimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit të energjisë me të cilin Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ua shet këtë bizneseve (pjesë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që furnizon bizneset që duhet të kishin dalë në treg të lirë por që nuk kanë gjetur furnizues).

ERE ka theksuar se klientët duhet të tarfiohen njëlloj me koston reale dhe jo me çmimin më të lartë.

Sipas ERE-s, falë zgjatjes së periudhës tranzitore në dy vjet kompania që kryen funksiononin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit ka mundësi që të dalë në treg dhe të sigurojë sasinë e energjisë në një afat më të gjatë dhe më një çmim më të mirë dhe jo duke dalë në afatshkurtër çka bën që energjia të sigurohet me kosto shumë të larta.

Sipas parashikimeve në tregun e lirë pritet të dalin një numër i madh biznesesh, të cilët do të lidhen në tension 20 kilovolt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë