Para

Biznese, nëse s’aplikoni për pagën e luftës deri në 5 qershor, do të gjobiteni 50 mijë lekë

Tatimet i kujtojnë të gjithë bizneseve se nëse nuk aplikojnë për pagën e luftës për punonjësit e tyre sipas Paketës së Zgjeruar, do të presin penalitetet.

Po ashtu, sipas tatimeve, ankesat do të pranohen brenda 30 ditëve nga vendosja e gjobës.

“Në rast të moskryerjes së aplikimit, pas datës 5 qershor 2020, çdo subjekt që nuk ka plotësuar Kërkesën, për punonjësit e punësuar apo ish të punësuar, që plotësojnë kriteret për përfitim të ndihmës financiare, ndihmë e Qeverisë Shqiptare, do të dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë”- citojnë tatimet.

Kurse, të gjithë tatimpaguesit të cilët i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit e tyre, nuk do jenë subjekt i këtij penaliteti.

Tatimet informojnë se bizneset duhet që të plotësojë formularin e ankesës, brenda datë 05 Qershor 2020, dhe ta ngarkojnë atë në menunë ‘’Çështjet e Mia’’, në llogarinë në e-filing.

Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e komunikimit të penalitetit të vendosur, çdo biznes i gjobitur do të ketë mundësi t’i paraqesë Administratës Tatimore, nëpërmjet llogarisë së deklarimit elektronik e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, shoqëruar me dokumentacion mbështetës që i argumenton ato.

Individëve përfitues, për të cilët punëdhënësi nuk do të kryejnë aplikimin brenda datës 5 Qershor 2020, do t’iu jepet mundësia të plotësojnë të dhënat e tyre të llogarive bankare dhe do të vijohet menjëherë me kalimin në mënyrë automatike të masës së përfitimit.

Bizneset që përfitojnë

Masat që përfitojnë janë: Masa 1 – Subvencionim për punonjësit e larguar + aktualë në bizneset me të ardhura 14+ milionë lekë të mbyllur nga urdhrat e MSHMS-së

Masa 2 – Mbështetje për të larguarit nga puna në periudhën 1 Mars – 17 Maj (për të gjitha subjektet e hapura apo të mbyllura nga urdhrat e MSHMS-së).

Masa 3 – Subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8,000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1, etj.)

Masa 4 – Subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit.

Paketa e zgjeruar

Sipas ndryshimeve që pësoi paketa e dytë mbështetëse financiare për të përballuar atë çfarë shkaktoi Covid-19; u zgjerua afati për ata që mund të përfitojnë. Pra marrin ndihmën të gjithë të larguarit nga puna nga biznesi i madh midis datës 1 mars dhe 17 maj (më parë ishte nga 12 marsi në 10 prill).

Po ashtu nëse punëdhënësi nuk aplikon për punonjësin, individi përfiton automatikisht, por në të njëjtën kohë punëdhënësi merr dhe një gjobë prej 50 mijë lekësh.

Nga ndryshimet e bëra janë shtuar në skemë edhe 32 mijë përfitues të tjerë, duke e çuar numrin e tyre në 210 mijë. Deri tani rreth 108 mijë individë e kanë marrë pagesën e luftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë