Treg

Bitcoin ‘kalon’ me sukses testin e krizës bankare

Bitcoin vazhdon edhe sot (21 mars) të shijojë 28 mijë dollarëshin, vlerë që monedha digjitale nuk e ka parë nga rreth 1 vit. Me disa luhatje të vogla në disa orë, kriptomonedha më e madhe në botë, tregtohet pak më shumë se 28.000.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ether, e dyta për nga vlera e tregut që mban, kapi 1.8 mijë dollar.

Kriptomonedhat duket se këtë herë po provojnë veten e tyre si “parajsa” ku mund të strehohen investitorët në raste krizash.

Ndryshe nga paniku që solli lufta në Ukrainë, Bitcoin po kalon me sukses panikun bankar që preku SHBA-në dhe Europën gjatë të gjithë marsit, sidomos fundjavën që lamë pas.

Shitja e bankave ka zhdukur qindra miliarda dollarë në vlerë tregu dhe ka detyruar rregullatorët amerikanë të ndërmarrin masa emergjente.

“Është shumë herët të thuhet se Bitcoin ka vërtetuar narrativën se është një alternativë në një krizë bankare”, paralajmëroi Ed Hindi, Shefi i Investimeve në Tyr Capital në Gjenevë.

Por ai shtoi: “Rritja që po dëshmojmë aktualisht tek kriptomonedhat do të shikohet më vonë si momenti kur BTC kaloi një stres-test”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë