Para

Bitcoin humb gjysmën e vlerës, ditë të vështira për kriptot

Vlera e Bitcoin vazhdoi të bjerë gjatë fundjavës duke rënën nën 34 mijë dollarë sipas kursit të shkëmbimit të kriptomonedhave, Coinbase. Kriptomonedha më e madhe në botë për nga vlera e tregut tani ka rënë me 50 për qind që nga kulmi i saj në nëntor të vitit të kaluar.

Rënia e vlerës së aseteve digjitale vjen pasi tregjet e aksioneve në mbarë botën gjithashtu ranë ditët e fundit. Të hënën, disa tregje aziatike u hapën me humbje, ku indeksi standard i Japonisë Nikkei regjistroi rreth 2.5 për qind rënie.

Bitcoin përbën rreth një të tretën e tregut të kriptomonedhave me një vlerë totale prej rreth 640 miliardë dollarë. Ethereum, kriptomonedha e dytë më e madhe në botë, gjithashtu ka rënë në vlerë, me më shumë se 10 për qind në javën e fundit.

Megjithëse pjesa më e madhe e vitit 2022 ka qenë relativisht e qetë për tregun e kriptomonedhave, tregtimi i paqëndrueshëm i aktiveve digjitale nuk ka qenë aq i pazakontë në vitet e mëparshme.

Tregtimi u dominua për vite nga investitorë individualë, por kohët e fundit tregu ka parë një fluks investitorësh profesionistë, si fondet mbrojtëse e deri te bankat. Shumë nga investitorët institucionalë që blejnë kriptovaluta i trajtojnë ato si aktive me rrezik, të ngjashme me aksionet e teknologjisë.

Në kohën e pasigurisë së tregjeve për shkak të luftës në Ukrainë, investitorët priren që të shesin aktivet që kategorizohen me rrezik të lartë, siç janë në këtë rast kriptomonedhat, duke transferuar paratë drejt aktivëve më të sigurta.

Javën e kaluar, bankat qendrore anembanë botës, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Australinë, ngritën normat e interesit si kundërpërgjigje ndaj inflacionit. Rezerva Federale e SHBA rriti normën e saj bazë të huadhënies me gjysmë pikë përqindjeje, duke shënuar rritjen e saj më të madhe të normës në më shumë se 20 vjet.

Kjo ka shkaktuar më shumë shqetësime te disa investitorë se inflacioni dhe kostoja më e lartë e huamarrjes mund të kenë një ndikim të madh në rritjen ekonomike globale.

Ndërkohë, në vitin e fundit Bitcoin është ligjëruar në dy vende, El Salvador dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

El Salvador vendosi që të lejonte konsumatorët të përdorin kriptomonedhën në të gjitha transaksionet, së bashku me dollarin amerikan, por Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar anulimin e këtij vendimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë