Art dhe Kulture

Biografia e Suzan Sontag: Ka shkuar me 36 burra e gra në 3 vjet

Dikush i cili kishte qenë shok klase me Suzan Sontag, kujton se e kishte takuar diku në oborrin e një shkolle, rreth moshës 12 vjeç dhe e pyeti në ishte dhe ajo e regjistruar në programin “fëmijë të talentuar”. Ajo iu përgjigj se ishte, e më pas i kërkoi të bisedonte me të, pasi “fëmijët në klasën e saj ishin kaq të heshtur, e ajo nuk mund të bënte asnjë bisedë”. Nga ai moment e deri në fund të jetës së saj, dy javë para ditëlindjes së 72-të , Sontag mendonte se për sa kohë kishte dikë me të cilin mund të ndante mendimet, ia vlente të jetonte.

Ajo lindi më 1933 në New York, por u rrit në periferi të Tucson, Los Anxhelos e në vende të tjera. Babai i saj vdiq kur ajo ishte 5 vjeç, duke e lënë të rritet nga një nënë në dukje e ftohtë, alkoolike, borgjeze e pashpresë. Në biografinë e re të Benjamin Moserit, “Sontag : jeta dhe puna e saj” mësojmë se që në moshë fare të re ajo do të ishte e vetëdijshme për talentin e saj, duke e bërë që të fokusohej më shumë tek vetja. Ajo filloi të lexonte që në moshën 3 vjeçare, në moshën 15 vjeçare përfundoi shkollën e mesme dhe në moshën 17 vjeçare u martua me një akademik të njohur. Pas disa aventurave në Universitetin e Çikagos, Okfordit dhe Parisit ajo u kthye në Nju Jork në 1959, tashmë si një grua e divorcuar dhe nënë, e gatshme në moshën 26 vjeçare për të kërkuar një vend e një skenë kulturore, ku të shprehte gjithnjë ndjeshmërinë e saj.

Ajo e adhuronte kulturën e lartë, dhe me shkrimet e saj solli një qasje të re në kulturën amerikane të kohës. Ajo kërkonte të argumentonte, pasi besonte se vetëm kështu një kritike mund të ishte më e pranuar. Për të lexuesit ishin seriozë, e çdo komunikim me ta nuk duhet të ishte ndryshe përveçse i tillë. Ajo nxori gjithë sensualitetin brenda vetes, duke i bërë shkrimet jo vetëm të lexohen por dhe të dëgjohen. Emocionet ishin dhurata e saj për lexuesit e zakonshëm. Esetë e shkruara në atë kohë do të konfirmonin karrierën e saj të hershme, edhe pse të shkruara më shumë se 50 vjet më parë, ato janë ende të gjalla sot, me dashurinë që përcjellin. Libri i saj “Kundër Interpretimit” botuar në vitin 1966, të jep ende edhe sot kënaqësinë e leximit. Ky libër duket si një testament i shkrimtares. Deri në vitin 1968 ajo ishte bërë një simbol ndërkombëtar i intelektuales. Të qënurit një grua e bukur e seksi e bëri figurën e saj të dukej njëkohësisht ekstravagante. Është e vështirë sot të mendosh nëse fama e saj do të kishte qene kaq e madhe nëse nuk do të ishte një grua e bukur. Ajo e çmonte si të lindur sensualitetin e saj, dhe gjatë gjithë jetës e dëgjoi mendjen dhe trupin.

Susan Sontag

Sontag nuk doli asnjëherë kundër zërit të trupit të saj, asaj çfarë vërtet besonte. Ajo pranoi hapur tërheqjen si ndaj grave ashtu edhe ndaj burrave. Moser, në biografinë për të, citon në një fletë të vetme burrat dhe gratë me të cilët ajo kishte fjetur nga mosha 14 deri 17 vjeç. Numri ishte 36. Pavarësisht punës me krijimin e një profili të lartë publik, në çështje të identitetit seksual do të mbetej gjithnjë novatore. Përtej pamjes së saj si një grua e fortë, ajo gjithnjë përpiqej të ndjente. Për të, njerëzit që kanë probleme me ndjenjat janë të padurueshëm. Shpesh ajo bëhej e tillë dhe shpërthente në diskutime intelektuale gati të padurueshme, siç ishte një darkë në vitin 1995 në Kaliforni me kritikun Terry Castle.

Biografia e Benjamin Moser është një nga librat më të bukur për jetën e Sontag, ku lexuesi njihet me anën e panjohur të jetës së saj shpirtërore. Më shumë se fizikisht ajo jetonte shpirtërisht, pasi Suzan ishte një person jashtëzakonisht i ndërlikuar.

“Nuk dua të shpreh ftohtësinë. Nuk është ajo që ndjej. Interesohem për çdo lloj shkëmbimi pasionant. E gjithë puna ime bërtet të qëwnit serioz, pasionant, të zgjohesh”, shprehej ajo.

Moser përshkruan në 800 faqe libër çdo lidhje dashurie të Sontag, çdo njohje e etapë në jetën e saj, çdo çmim që ajo mori. Duke iu referuar shkrimeve të saj mbi erosin dhe pornografinë ai arrin në përfundimin se shkrimtarja besonte se “Pornografia nuk është seksi por vdekja”.

“Dashuria dhemb. Jep veten tënde dhe tjetri mund të largohet në çdo kohë", shkruante ajo.

Susan Sontag është autore e mbi 17 librave, eseve, dramave, të cilat i kanë dhënë asaj një njohje ndërkombëtare. Ajo është një ndër kritiket që ka marrë më shumë vëmendje nga vetë kritika, për vetë mënyrën sesi e ktheu jetën në letërsi. “Vdekja është e kundërta e çdo gjëje” do të shkruante ajo në një ese të saj; pasi kuptoi se e humbi betejën me sëmundjen e kancerit. Biografia e Moser është një nga librat më të shitur të muajve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë