Futboll

Biletat për Kupën e Botës janë tepër të shtrenjta

Më të lirat, tani janë në shitje për qindra euro dhe biletat për finalen po shiten për gati 10,000 euro. Ky është tregu, por është një problem për tifozët

Gazeta Si – FIFA, organi ndërkombëtar qeverisës për futbollin, ka shitur bileta për Kupën e Botës 2026 që nga tetori i kaluar.

Dhe prej atëherë, ka pasur polemika të konsiderueshme, duke pasur parasysh çmimet e tepruara të biletave – të cilat ishin tashmë tepër të larta që në fillim dhe kanë vazhduar të rriten, veçanërisht për ndeshjet më të rëndësishme.

Kohët e fundit, gjërat janë përkeqësuar edhe më shumë: disa pretendojnë se u mashtruan nga FIFA në mënyrën se si caktuan vendet në stadium dhe në disa zona, kostot e transportit dhe parkimit janë rritur gjithashtu.

Kupa e Botës do të luhet midis 11 qershorit dhe 19 korrikut, për herë të parë në tre vende të ndryshme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (kryesisht), Kanada dhe Meksikë.

Do të jetë edicioni më i madh ndonjëherë, pasi ekipet pjesëmarrëse janë rritur nga 32 në 48 dhe për këtë arsye do të ketë më shumë ndeshje: 104, në 16 stadiume të ndryshme.

Në vend që të vendoste çmime fikse bazuar në fazat e turneut, FIFA prezantoi një sistem çmimesh “dinamik” për biletat e Kupës së Botës të ardhshme: çmimet luhaten bazuar në kërkesë, shpesh të lidhura me popullaritetin e ekipeve pjesëmarrëse.

Ky sistem është kritikuar për potencialin e tij për të rritur ndjeshëm çmimet, gjë që në të vërtetë e ka bërë.

Pas reagimeve fillestare negative nga tifozët dhe media në dhjetor FIFA prezantoi një kategori të re me një numër të kufizuar biletash me çmime të rregulluara (midis afërsisht 50 dhe 600 euro), të destinuara që federatat kombëtare t’ua shesin tifozëve të tyre.

Megjithatë, nuk u ndoqën masa të tjera të ngjashme dhe kostot e përgjithshme kanë vazhduar të rriten.

Në shtatë muaj, FIFA ka nxjerrë në shitje mbi gjashtë milionë e gjysmë bileta në faza të ndryshme, duke rritur çmimet me një mesatare prej 34 përqind midis tetorit dhe prillit.

Kjo Kupë Bote – dhe veçanërisht finalja – është bërë kështu ndër ngjarjet sportive më të shtrenjta ndonjëherë për tifozët, e rivalizuar vetëm nga Super Boël, ku një biletë mund të kushtojë mbi 25,000 euro.

Një shembull tjetër. Gazeta “Athletic” llogariti se nga viti 2006 deri në vitin 2022, biletat e Kategorisë 1 (më të shtrenjtat) për ndeshjen hapëse të një Kupe Bote, kushtuan afërsisht 510 deri në 630 euro (të rregulluara për inflacionin e vitit 2025).

Megjithatë, për këtë edicion, një biletë e Kategorisë 1 për ndeshjen hapëse në stadiumin “Azteca” në Mexico City, kushton rreth 2,000 euro.

Për të parë ndeshjen hapëse të Shteteve të Bashkuara në Kaliforni, mund të paguhet më shumë se 2,300 euro: ka ende vende të lira dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse.

E gjithë kjo pa marrë parasysh se rishitja e biletave është e ligjshme në Shtetet e Bashkuara e Kanada dhe FIFA e ka lejuar atë përmes tregut të aj zyrtar sekondar. Dhe përveç çmimit të biletave, duhet të merret në konsideratë edhe kostoja e mbërritjes në stadium.

FIFA, e cila menaxhon parkimin, do të ngarkojë mesatarisht 150 euro për një vend parkimi jashtë një stadiumi; dhe në disa raste, kjo do të jetë më e lirë se transporti publik, i cili menaxhohet nga qytetet pritëse.

Rasti i agjencisë së transportit të New Jersey-t, e cila rriti çmimin e një bilete treni vajtje-ardhje nga New York-u në stadiumin “MetLife” nga rreth 11 euro, në pothuajse 130 euro, ka shkaktuar polemika.

Kjo është pa asnjë zbritje për fëmijët ose personat me aftësi të kufizuara – zbritje që, rastësisht, FIFA nuk i ka ofruar as për shitjen e biletave.

Në muajt e fundit, kryeministri britanik, Keir Starmer i kishte kërkuar FIFA-s të ulte çmimet e biletave dhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, kishte nxitur që Kupa e Botës të ishte më e arritshme për klasat punëtore, duke nisur një peticion të quajtur “Game Over Greed”.

Ndërkohë, guvernatori i Nju Xhersit, Mikie Sherrill, propozoi që FIFA të kontribuonte në transportin e tifozëve – i cili, sipas planeve fillestare, do të ishte falas.

FIFA, një organizatë jofitimprurëse, e justifikoi vendimin e saj duke pretenduar se donte të maksimizonte të ardhurat për të riinvestuar në zhvillimin e futbollit. Presidenti Gianni Infantino përsëriti gjithashtu se, në fund të fundit, është një “treg”.

Një treg që, megjithatë, është gjithnjë e më i shtrembëruar. Jason Gay, një gazetar sportiv i “Wall Street Journal”, shkroi.

“Sot, ne madje festojmë një ‘çmim bilete’ me katër shifra si një shenjë e vitalitetit të ngjarjes. Ajo që dikur ishte një traditë, është bërë një luks i rrallë, ose është bërë plotësisht e paarritshme. Dhe unë as nuk e kam përmendur tarifën e parkimit prej 60 dollarësh, fanellat prej poliesteri prej 175 dollarësh dhe birrat prej 14 dollarësh. Nëse ligat nuk mendojnë se përfundimisht do të paguajnë çmimin për të gjitha këto, ato nuk po i dëgjojnë tifozët e tyre, sepse kur dëgjoj nga tifozët më besnikë dhe mbajtësit e biletave sezonale, çmimi është praktikisht e vetmja gjë për të cilën flasin”.

Ndërkohë, është ende e paqartë saktësisht se sa bileta janë blerë (vlerësohet rreth 3 milionë, ose pak më pak se gjysma), pjesërisht sepse FIFA ka të ngjarë të vazhdojë të nxjerrë më shumë në shitje deri në minutën e fundit.

Por, ndër të tjera, çmimet dinamike e bënë ndeshjen hapëse të Shteteve të Bashkuara aq të shtrenjtë, sa duket se janë blerë vetëm disa bileta: rreth 41,000 nga 70,000, më pak se për ndeshjen Iran-Zelanda e Re.

Megjithatë, Infantino është shumë optimist: ai tha se organizata që drejton, do të fitojë rreth 11 miliardë dollarë nga turneu, nga 3.6 miliardë të shpenzuara.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë