Tragjedia e konsumuar nga kufiri mes bregdetit të Kavajës dhe atij të Durrësit e deri në qytetin e Laçit në Veri u ka marrë jetën të paktën 23 personave. Kaq është numri i të vdekurve që autoritetet konfirmojnë zyrtarisht deri në orën 22:30 të mbrëmjes së të martës nga lëkundjet e tërmetit që goditi vendin tonë rreth orës 04:00.
Pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në rrethin e Durrësit, në zonën e Plazhit, tek Kavalishenca, në zonën e ish-Kënetës dhe tek Lagjja Nr.18 e këtij qyteti. Pjesa tjetër kanë humbur jetën në Thumanë, ku tre pallate 5-katësh u shembën thuajse plotësisht si pasojë e tërmetit, ndërsa një person humbi jetën në qytetin e Laçit, pasi në panik e sipër u hodh nga dritarja.
Të paktën 43 persona janë shpëtuar nga gërmadhat, ndërkohë që numri i të plagosurve që kanë mbërritur në spital për ndihmë mjekësore tejkalon shifrën e 650 personave. Mjekët pohojnë se pjesa më e madhe kanë hematoma të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën, por pohojnë gjithashtu se disa kanë marrë plagë të rënda dhe janë në gjendje kritike për jetën.
Ndërkohë, grupet e shpëtimit janë në garë me kohën dhe vazhdojnë të gërmojnë nëpër gërmadhat e lëna pas nga tërmeti në përjekje për të shpëtuar disa persona që raportohen të bllokuar, apo që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nëpër godinat e shembura.
Puna për shpëtimin e tyre nuk është ndalur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë edhe me ndriçim artificial gjatë natës. Ndërkohë, mbrëmja e zuri qytetin e Durrësit thuajse krejtësisht në fushë të hapur. Banorëve që iu shembën shtëpitë iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, nga frika lëkundjeve të tërmetit që kanë qenë thuajse të vazhdueshme përgjatë të gjithë ditës, ndonëse jo në dendësinë e tërmetit të orës 4:00, që ishte 6.4 Rihter.
Qeveria shpalli të mërkurën Ditë Zie Kombëtare, e në shenjë solidarizimi edhe Kosova bëri të njëjtën gjë, ndërsa Presidenti Ilir Meta njoftoi anulimin e festës së pritjes me përfaqësuesit e huaj në Tiranë me rastin e 28 Nëntorit, Festës së Flamurit.
Nga hyrja e Spitalit të Traumës, Kryeministri Edi Rama kërkoi solidarizim. Thirrja pasonte njoftimet e mëhershme zyrtare të Qeverisë për të ndihmuar në numrat e llogarisë të vënë në dispozicion në një bankë të nivelit të dytë në vend, por edhe të postimit të vetë Ramës, ku tha se për banorët e mbetur në qiell të hapur Qeveria do të nënshkruante marrëveshje me hotele në Durrës, Kavajë dhe Vlorë për strehimin e tyre.
Ky ishte shkurtimisht bilanci i një dite të gjatë, të lodhshme e mbi të gjitha të dhimbshme për Shqipërinë, një nga ato ditët që mbetet në histori si “ditë e tragjedisë së madhe”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.