Tërmeti i fuqishëm që tronditi Shqipërinë ka shembur disa banesa dhe disa persona janë ndër rrënoja.
Por situata paraqitet më e rëndë në Thumanë, ku janë shembur tri pallate.
Gazeta Si ka siguruar pamjet me dron nga kjo zonë, ku shumë banorë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja nga shembja e pallateve.
Deri më tani të paktën 5 persona kanë humbur jetën në rrënojat në Thumanë.
Ndërkohë 28 persona janë nxjerrë gjallë nga rrënojat e ndërtesave që nuk i shpëtuan dot lëkundjeve të forta të tërmetit.
Ndërkohë në disa video të postuara nga Oligert Musta në orët e para të mëngjesit shihen momente kur nxirren disa prej tyre nga rrënojat, mes tyre edhe fëmijë.


Ndërkohë forcat zjarrfikëse po punojnë për të nxjerrë banorët e tjerë të bllokuar nën këto rrënoja.
Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, tre të pajetë u nxorën nga rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni.
Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.