Politike

Bilanci i bashkëqeverisjes, ankesat “3 minuta e 4 vite larg ministrit”

Ankesa juaj është vetëm tre minuta larg nga tryeza e ministrave. Të paktën kështu pretendon Kryeministri Edi Rama, që në njëvjetorin e platformës, që e ka pagëzuar me “platforma e bashkëqeverisjes” nxiti qytetarët që ta shfrytëzojnë akoma më shumë atë.

“Platforma është një rrugë shumë e shkurtër për të krijuar një lidhje direkte për çdo qytetar me një anëtar të kabinetit qeveritar. Për 3 minuta problemi shkon tek ministri, për 10 ditë vjen zgjidhja”, deklaroi Rama.

Kryeministri thotë se janë afërsisht 200 çështje që trajtohen çdo muaj nga anëtarët e kabinetit qeveritar dhe pretendon se të gjitha ankesat marrin zgjidhje.

Platforma e bashkëqeverisjes nisi nga puna në tetor të vitit të kaluar dhe sipas shifrave të deklaruara nga Kryeministri sot për ankesat mujore, i bie që me një përllogaritje të thjeshtë, në 12 muaj të jenë ankuar të paktën 20 mijë qytetarë.

Po si funksionon platforma? Pas hyrjes në portalin “Shqipëriaqëduam.al”, që ky mekanizmi të funksionojë, duhet që në fillim qytetarët duhet të regjistrohen duke dhënë të dhënat personale. Të dhënat personale janë interpretuar si pengesë për t’iu drejtuar këtij portali, pasi ankesa për një padrejtësi apo parregullësi ligjore mund të fusë në telashe denoncuesit me të denoncuarin, sidomos nëse ky i fundit është person me pushtet, ose i lidhur me pushtetin.

Pas regjistrimit qytetarët kanë mundësinë të shkruajnë shqetësimin, apo problemin konkret duke zgjedhur ministrinë që duan të dorëzojnë ankesën e tyre, ose drejtoritë e institucionet në varësi të kësaj ministrie.

Një dritare e veçantë u është dhënë edhe bizneseve të vogla dhe kushdo që ka një sugjerim apo kritikë mbi klimën e biznesit apo politikat fiskale, mund të kontaktojë pranë kësaj platforme.

Siç ishte paralajmëruar edhe më herët, qytetarët kanë mundësi të thërrasin në interpelancë kryeministrin dhe anëtarët e qeverisë, mjafton të paraqesin në këtë platformë një kërkesë për interpelancë me 100 firma qytetarësh.

Një interpelancë e tillë u zhvillua me banorët e Kukësit, pas protestës për traun e vendosur në Rrugën e Kombit, në mars të këtij viti. Gjasat janë që kjo interpelancë të mos jetë thërritur nga qytetarët, por nga Kryeministri për të “kërkuar ndjesë se nuk e vlerësoi siç duhet efektin e tarifës tek kuksianët”.

Opozita akuzonte në atë kohë se në fakt, ata që Rama kishte përballë nuk ishin qytetarë të thjeshtë të Kukësit, por punonjës të administratës, që Kryeministri i mblodhi për një tjetër spektakël në rrjetet sociale.

Kur “tepsixhinjtë” nuk kanë frikë as nga Edi Rama

Bashkitë janë institucionet më kryeneçë. Ato që nuk e kanë edhe aq problem nëse qytetarët e thjeshtë i shkruajnë platformës, nëse depozitojnë ankesë apo qahen se nuk jetojnë në Shqipërinë që duan.

Gazeta Si ka vëzhguar disa nga rastet dhe ankesat që shkruajnë qytetarët në adresë të bashkëqeverisjes. Ata që presin ankesat e kanë ditën të ngarkuar. Mes ankesave ka edhe nga ato që janë në udhëkryq.

Zgjidhja e vetme në raste të tilla mbetet përgatitja e dokumentave për t’ju drejtuar gjyqësorit ose të lutesh e të ndezësh qirinj diku në një vend të mirë.

I tillë është edhe rasti i një pallati në qytetin e Sarandës. Dhjetra qytetarë nuk po gjejnë derman për një çështje bazike, një të drejtë të qenësishme për të pasur një rrugë për të dalë nga shtëpia. Këtyre banorëve u është hequr e drejta për të pasur një rrugë ku të kalojë karroca e bebeve, karroca e para dhe tetraplegjikut, makina a autoambulancës në raste urgjencash shëndetësore apo arkivoli në rastet e ceremonisë mortore.

Po ashtu problem mbetet edhe çështja e zgjidhjes së problemit me kanalizimet e ujërave të zeza.

“I jemi drejtuar çdo institucioni të mundshëm. Jemi ankuar në Hipotekë, në Bashki, te Shoqata e Ndërtuesve specifikisht dhe me dhjetra herë kemi qenë edhe në bashki. Së fundimi kemi shkruar te portali i bashkëqeverisjes, por nuk na kanë dhënë asnjë zgjidhje. Kemi shkruar jo një herë, por tre herë, duke menduar se nuk i ka shkuar kërkesa”, thotë Lona Cano, një nga banorët e lagjes, e cila ka marrë përsipër të përgjigjet për çështjet institucionale.

Platforma u është përgjigjur zyrtarisht se do të kthejë një përgjige pas disa ditësh, sa të rakordohej me institucionet, por as herën e parë dhe as herën e dytë struktura nuk ka mundur dot të japë zgjidhje, aq më shumë të çajë bllokadën e Bashkisë së Sarandës.

Zyrtarisht përfaqësuesit e platformës anë përgjigjur se kjo strukturë punon që të zgjidhë problemaitka në një kohë më të shpejtë, duke qenë se është e ndërlidhur me institucionet dhe ministritë, sipas disa rregullave të sukseshme logjistike e teknike, por ka ende nuk problematika të cilat nuk gjejnë zgjidhje sidomos ato të lidhura me pushtetin vendor.

Pak kohë më parë edhe Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se në këtë platformë shkruajnë edhe për çështje banale, si rasti i disa shkallëve në Lushnjë pengesë për një qytetarë.

Por ka edhe raste pozitive, si ajo e Olianit, një i ri që ka arritur të zgjidhë çështjen e hipotekës për 8 familje vetëm duke i shkruar bashkëqeverisjes.

“Kam shrkuar në fund të tetorit dhe në nëntor jo vetëm që më kanë kthyer përgjigje, por kam marrë hipotekën në dorë, jo vetëm unë, por edhe tetë familje të tjera. Janë treguar shumë korrekt dhe problemi ka marrë zgjidhje shumë shpejt. Nuk kishim arritur të gjenin zgjidhje prej kohësh, për çështje që tashmë dihen”, tha Olian Muska për Gazetën Si.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë