Lajme

Bilanci i Anti-informalitetit, janë proceduar penalisht 348 subjekte dhe 64 zyrtarë të administratës

Drejtoria e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit ka publikuar rezultatet e aksionit anti-informalitet, deri më 10 shtator të 2019.
Drejtori i Krimit Ekonomik, Lufti Minxhozi, ka deklaruar se në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 1764 subjekte të ndryshme, ndër to 892 shërbime vend-pushimesh, 703 lokale në bregdet, 321 hotele, 8 subjekte karburesh, 55 ndërtime pa leje, 59 raste për territore të pushtuara dhe në 309 subjekte të tjera.
Minxhozi po ashtu bëri me dije se gjatë aksioneve të nisura që në muajin korrik, janë proceduar penalisht 348 subjekte të gjetura në shkelje.
“Janë proceduar penalisht 348 subjekte të gjetura në shkelje dhe materialet i kanë kaluar për ndjekje penale prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse.
39 persona janë arrestuar e ndaluar për veprat penale të ‘Fshehjes së të Ardhurave’, ‘Mos lëshim kuponi tatimor dhe ushtrim aktiviteti tregtar të paligjshëm’, ‘Mospagim i taksave dhe i tatimeve’, ‘Moskryerja e detyrave nga organet tatimore’, ‘Ndryshimi në aparatet matëse’, ‘Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve’, ‘Ndërtim i pa ligjshëm’, ‘Shkatërrim i pronës’, ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’, ‘Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’”, është shprehur Minxhozi.
Gjithashtu, Minxhozi njoftoi se janë proceduar penalisht 64 zyrtarë të administratës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, nga të cilët, 42 nëpunës të bashkive, 9 nëpunës të sistemit fiskal, 8 nëpunës të Drejtorive Rajonale të ndryshme, 5 nëpunës të IMT-së. Ndër zyrtarë të administratës janë arrestuar 5 vetë dhe 1 është shpallur në kërkim. Policia njoftoi se janë zbuluar dhe goditur 3 raste evazioni, vjedhje në përpjesëtime të mëdha dhe ndërtimi skemash rimbursimi të TVSH me fatura fiktive.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/498223184089683/?epa=SEARCH_BOX


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë