Treg

Bie rrjeti i One, shërbimi celular jashtë funksionit që në orët e para të mëngjesit

Nga Gazeta ‘Si’ - Që në orët e para të mëngjesit të sotshëm (24 gusht) pothuajse të gjithë abonentët e kompanisë celulare “One Albania” nuk munden dot të komunikojmë për shkak se shërbimi është jashtë funksionit.

Çdo numër celulari i këtij operatori është në “black out” total që nga ora 6:00 dhe sipas operatorëve nuk dihet ende për sa do të rregullohet.

Deri në publikimin e këtij shkrimi One nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me këtë situatë.

E vetmja përgjigje e kompanisë që ajo ka vënë në dispozicion për ankesat është një mesazh automatik që të vjen në telefon ku thuhet se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi “eksperienca juaj do të përmirësohet”.

“Përshëndetje. Ju njoftojmë se për të përmirësuar sistemet tona jemi duke kryer disa ndërhyrje teknike, të cila mund të ndikojnë në shërbimet tuaja. Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të hasni, por ju sigurojmë që shumë shpejt eksperienca juaj do të përmirësohet!”

Por edhe ky mesazh shkon vetëm për ata që shqetësimin e dërgojnë me aplikacionin “Whatsapp”!

Kohët e fundit ankesat e qytetarëve ndaj One në rrjetet sociale janë shtuar për shkak të problemeve që ato kanë hasur me kalimin e numrit në një tjetër kompani apo pagesat e numrave me kontratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë