Treg

Bie prodhimi i drithrave, moti i nxehtë nuk favorizon

“Të mbjellësh a të mos mbjellësh drithra”- kjo është dilema e çdo bujku apo fermeri shqiptar sot, veçanërisht përballë vështirësive të shumllojshme që i pengojnë rrugën; kostoja e prodhimit, financimi, gjetja e tregut. Përpos këtyre edhe klima e thatë jofavorizuese, sidomos vitin e fundit.

Pasi siç thonë ekspertët e fushës, që ta prodhosh, duhet të njohësh mirë fiziologjinë e kësaj kulture. Gruri kalon fazën e jarovizimit në temperatura nën 15 gradë celsius, që quhet dhe stadi i temperaturave të ulta.

Por, nëse vazhdojmë të mbjellim grurë pas gruri, rendimenti do të ulet respektivisht me 15, 20 dhe 30 perqind, në vitin e tretë. Kjo ndodh, pasi kjo kulturë e shfrytëzon sipërfaqen aktive deri në 30 centimetra, duke e “lodhur ” tokën. Mbjellja e përsëritur bën që të shfaqet ndryshku i grurit e një sërë semundjesh te tjera qe ulin akoma më shumë rendimentin e rrisin akoma më shumë koston e prodhimit, duke i luftuar ato.

Kjo reflektohet edhe tek të dhënat më të fundit të INSTAT, sipas të cilave prodhimi i drithërave ka rënë në vitin 2018-të me 3,35%.

Prodhimi i drithërave në vitin 2018 rezulton 678.196 ton. Dhe Fieri për të paktën gjashtë vite më radhë mban vendin e parë të nivelit më të lartë të prodhimit të drithërave me 172.433 ton, pasuar nga qarqet Elbasan me 96.441 ton dhe Korçë me 74.969 ton.
Prodhimi i drithrave referuar të dhënave periodike të INSTAT ka shfaqur trend rritës nga 2015-2017.

Prodhimi i drithrave, në vitin 2016, rezulton 698.400 ton, duke shënuar një rritje me 0,4 %, në krahasim me 2015. Niveli më i lartë i prodhimit të drithrave u arrit në qarkun e Fierit me 156.530 ton, e pasuar nga qarqet Elbasan dhe Korçë.

Po ashtu edhe në 2017-ën prodhimi i drithërave në vitin 2017 rezulton 701.732 ton, duke shënuar një rritje me 0,48 %, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 182.999 ton, pasuar nga qarqet Elbasan dhe Korçë.

Prodhimi i drithrave, veçanërisht ai i grurit në vendin tonë ka pësuar ulje dhe ngritje të vazhdueshme gjatë viteve.

Sipas Open Data Albania, niveli më i lartë i prodhimit të grurit është shënuar në vitin 1998, ku u prodhuan rreth 395 mijë ton. Viti 2006 është viti më i keq në prodhimin e grurit, në të cilin u prodhuan rreth 230 mijë ton grurë. Përsa i përket rritjes vjetore të prodhimit të grurit, në vitin 2008 është shënuar rritja më e madhe.
Në vitin 2008 u prodhua rreth 34% më shumë grurë se një vit më parë. Nga ana tjetër, në 1999 është shënuar rënia vjetore më e madhe, ku krahasuar me një vit më parë u prodhua rreth 31% më pak grurë.

 

Më Shumë