Futboll

Bie një pistë për Igli Taren, Napoli e gjen drejtorin sportiv te Juventusi

Gazeta Si – Napoli e ka zgjedhur njeriun, tek i cili do të besojë për rindërtimin teknik të skuadrës. Nuk është Igli Tare, sikurse ka shkruar shtypi italian kohët e fundit, por Xhovani Mana. Bëhet fjalë për bashkëpunëtorin më të ngushtë të Kristiano Xhuntolit te Juventusi, ‘shpirti’ dhe ‘truri’ i ‘Next Gen’.

Sezonin e fundit 35-vjeçari ka mbajtur postin e ‘Head of First Team’ në krah të drejtorit teknik. Lajmi është bërë i ditur nga “Corriere dello Sport”, që saktëson se marrëveshja pritet të formalizohet ditët në vazhdim.

Mana e ka vlerësuar interesimin serioz të Napolit dhe është gati për sfidën, por duhet të gjejë mirëkuptimin e Juventusit dhe të shefit të tij Xhuntoli, i cili la Napolin dhe kaloi te bardhezinjtë sezonin e kaluar.

Xhovani Mana

Në këtë mënyrë, bie një pistë e mundshme për të ardhmen e Igli Tares, ish-kapitenit të Kombëtares dhe ish-drejtorit sportiv të Lacios. Që pas largimit nga ky klub, për Taren janë përfolur shumë skuadra të tjera, mes tyre edhe Fiorentina e Napoli, por ky i fundit tashmë ka rënë poshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë