Para

Bie kredia për individë. Për bizneset është në rritje, kanë nevojë për likuiditet

Nga Gazeta ‘SI’ - Rritja e normës bazë të interesit ka ulur kërkesën për kredi nga individët në Shqipëri, gjatë tremujorit të fundit të 2022, si për banesa edhe konsumatore. Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë me bankat tregtare në vend, faktor tjetër për rënien ka qenë edhe ecuria e tregut të banesave.

Në të njëjtën periudhë, rënie pati po ashtu dhe miratimi i kredive për individë, për shkak të perceptimit të bankave mbi nivelin e të ardhurave të disponueshme, nga faktorët e lidhur me historikun e kreditit të individëve dhe nga faktorët që reflektojnë politikat e kreditimit të bankave. Kjo ishte politika shtrënguese e bankave për kreditim, por nga ana tjetër pati nisma të bankave për të shtuar portofolin e kredisë në këtë segment, që u finalizuan në kushte e terma të lehtësuara kreditimi, të nxitura kryesisht nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar. 

Bankat presin të njëjtën tendencë tek individët edhe për tre muajt e parë 2023.

E kundërta ka ndodhur me bizneset, për të cilët kërkesa për kredi u raportua e lartë në të gjitha hallkat e madhësisë së biznesit, e përdorur kryesisht për të mbuluar nevojat e shtuara në financimin e inventarëve e kapitalit qarkullues, gjatë 3 muajve të fundit të 2022.

Për të njëjtën periudhë, edhe raporti i aplikimeve të pranuara (ndaj totalit të aplikimeve) ra. Bankat vijojnë të perceptojnë rreziqe dhe pasiguri për situatën makroekonomike e financiare në perspektivën e saj, që mund të cenojnë bilancet e bizneseve. Nga ana tjetër, normalizimi i politikave monetare në vend dhe jashtë po shton kostot e fondeve të bankave, duke përbërë një faktor të shtuar shtrëngues për kushtet e termat e kreditimit për bizneset.

Në tremujorin në vazhdim, kërkesa pritet të jetë më e ulët, kryesisht për financimin e investimeve dhe në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm. Ajo për likuiditete, pritet të jetë më e lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë