Treg

Bie kërkesa për borxhin e qeverisë, por yield-i i bonove të thesarit u rrit pas disa muajve rënie

Nga Gazeta ‘SI’- Për herë të parë pas disa muajsh, yield-i i bonove 12-mujore të thesarit pësoi një rritje të lehtë. Nga ankandi i shkuar, yield-i u rrit me 0.05%, duke arritur në 3.14%.

Një tjetër ndryshim ishte dhe ai i kërkesës, ku shuma e kërkuar ishte pothuajse sa ajo e shpallur, 7.3 mld nga 7.2 mld. Në këtë ankand qeveria pranoi më pak nga se kishte shpallur, vetëm 6.9 mld lekë.

Rikthimi i rritjes së yield-eve mund të jetë korrektim i vetë tregut të letrave me vlerë , por mund të jetë dhe një sinjal për të ardhmen e normave të interesit. Banka e Shqipërisë ka disa muaj që e ka lënë pezull normën e interesit, por herë pas here ka përsëritur se ajo mund të rritet përsëri në çdo moment, duke ndikuar kështu dhe tek titujt e borxhit.

Bonoja 12-mujore, përdoret si standard për çmimet e titujve afatgjatë.

Rënia e yield-eve të titujve gjatë 2023-shit ishte një zhvillim pozitiv për qeverinë, që mund të shesë borxhin e saj me interes minimal dhe me kërkesë të lartë.

Gjatë gjithë tremujorit të parë 2023 tregu i titujve me pakicë të qeverisë u dominua nga investitorët individualë të cilët blenë 15.1 mld lekë me rritje rreth 70% nga e njëjta periudhë e vitit 2022, sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë