Bota

Biden: Putin e ka humbur luftën në Ukrainë, kërcënimi atomik nuk është real

Gazeta Si - Për presidenin e SHBA-ve, Joe Biden, ajo në Ukrainë “është një betejë për lirinë e gjithë botës”. Ai ka theksuar se "Putin e ka humbur luftën". Këto fjalë Biden i ka thënë në konferencë shtypi bashkë me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto.

Nga Helsinki Biden ka minimizuar edhe kërcënimet e Vladimir Putin, duke pohuar se nuk sheh "prespektiva reale" të përdorimit të armëve nukleare nga ana e Kremlinit.

Presidenti amerikan foli edhe për çështjen "Prigozhin”, kapon e mercenarëve të grupit Wagner: "Duhet të ketë shumë kujdes për ushqimet që ha”, - tha Biden në konferencë shtypi, duke aluduar për rrezikun e helmimit të Prigozhin.

Shërbimi i sigurisë së brendshme të Rusisë ndërkohë "ka arrestuar disa zyrtarë ushtarakë të rangut të lartë, mes të cilëve gjeneralin Sergei Surovikin".

Lajmi vjen nga ‘Wall Street Journal’, sipas së cilës, "të paktën 13 zyrtarë të lartë janë arrestuar për t’u marrë në pyetje. Disa më pas janë liruar, 15 të tjerë janë pezulluar nga detyra ose pushuar". Sipas një burimi, Surovikin "është shoqëruar dhe pyetur në Moskë”, por "nuk është akuzuar për asnjë krim".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë