Ne rrjet

Biden në Romë për samitin e G20-ës, 5 pikat për çfarë do të diskutohet

Mbrëmjen e të enjtes, presidenti amerikan, Joe Biden mbërrin në Romë dhe pas takimit të planifikuar për të premten me Papa Françeskun, do të marrë pjesë, të shtunën dhe të dielën, në mbledhjen e G20-ës të kryesuar nga kryeministri italian, Mario Draghi.

Presidenti amerikan shpreson të arrijë me të paktën një marrëveshje të përgjithshme, "kornizën" tashmë të famshme për manovrën prej 1.750 miliardë dollarësh ende në qendër të një konfrontimi të ndërlikuar mes dy senatorëve të moderuar Joe Manchin dhe Krysten Sinema.

Në çdo rast, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jack Sullivan, është përpjekur të zhvendosë vëmendjen te çështjet e G20, megjithëse as Vladimir Putin dhe as Xi Jinping nuk do të jenë të pranishëm. Cilat do të jenë ato?

Vaksina - Të premten më 29 tetor, në G20 financiar, çdo ministër duhet të deklarojë se sa doza të vaksinës do t'u dhurohen vendeve më të varfra. Të shtunën, më 30 tetor, liderët pritet të ratifikojnë marrëveshjen. Biden tashmë ka premtuar 1.1 miliardë shishka. Do të shihet nëse presidenti amerikan do të rikthehet për të propozuar pezullimin e licencave për prodhimin e ilaçit kundër Covid.

Kriza energjetike- Të 20 liderët, do të diskutojnë rritjen e çmimeve dhe vështirësinë e furnizimeve. Në përgjithësi, pothuajse të gjithë do të thonë se sa urgjente është të përshpejtohet konvertimi i energjisë, duke u fokusuar tek burimet e rinovueshme. Por ka edhe probleme të menjëhershme të furnizimit. Amerikanët mendojnë, veçanërisht, se Rusia mund të përfitojë nga kjo për të peshuar rolin e saj vendimtar si furnizues me gaz për Evropën.

Taksa minimale - Pritet ratifikimi zyrtar i marrëveshjes së nënshkruar nga 136 vende në OECD për të vendosur një taksë prej të paktën 15% mbi fitimet e korporatave. Iniciativa u iniciua nga Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

Irani - Biden do të vlerësojë qëllimin e liderëve të tjerë për rifillimin e mundshëm të negociatave bërthamore iraniane. Megjithatë, mungesa e Putinit në tavolinë do të ndikojë shumë.

Takime bilaterale - Biden sigurisht që do të takohet me Draghin dhe presidentin francez Emanuel Macron, me të cilët do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet, pasi SHBA-të i dolën nga fjala Francës për nëndetëset me energji bërthamore të porositura nga Australia. Shtëpia e Bardhë po shqyrton takime me krerët e tjerë të shteteve. Ndër këta spikat turku Rexhep Tajip Erdogan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë