Art dhe Kulture

Biblioteka Kombëtare dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpallin 2025-ën si ‘Viti i Maks Velos’

Nga Gazeta “SI” -Ashtu siç e është bërë tashmë traditë prej disa vitesh ku personaliteteve të letrave dhe të artit u dedikohet një vit kalendarik , edhe këtë vit Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit shpallin vitin 2025 si vitin e Maks Velos.

Drejtoresha e Qendrës Kommbëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli rrëfen për Gazeta “SI”  arsyet e përzgjedhjes së Velos si personaliteti i vitit.

“Maks Velo, një artist i papërsëritshëm, një mendimtar i guximshëm dhe një zë i lirë në kohëra të vështira. Ai ishte një krijues që nuk ndaloi kurrë së sfiduari kufijtë e artit dhe mendimit.  Pikturat e tij, të cilat shpesh reflektonin ngjyrat e shpirtit të tij, flisnin për jetën, për dhimbjen dhe për shpresën.

Arkitektura e tij, ndonëse shumë prej veprave të tij u ndaluan apo u shkatërruan, mbeti një simbol i së bukurës që ai e kërkonte me aq përkushtim. Por, Maks Velo ishte më shumë sesa një artist. Ai ishte një zë i fortë i lirisë në një epokë kur liria ishte e ndaluar.

Ai vuajti burgimin dhe persekutimin, por asnjëherë nuk iu nënshtrua heshtjes.

Në çdo veper të tij, në çdo rresht të shkruar, Maks Velo na tregoi se arti dhe fjala janë arma më e fuqishme kundër padrejtësisë” thotë Bardhyli

Ajo shton se ky vit nuk përkujton vetëm atë çka ai krijoi por edhe atë çka përfaqësoi Maks Velo në jetën artistike dhe publike shqiptare, si një artist i rezistëncës dhe një shpirt i lirë.

“Ne e kujtojmë Maks Velon jo vetëm për atë që krijoi, por për atë që përfaqësoi – një shpirt të pavarur, një njeri që besonte në fuqinë e së vërtetës dhe të bukurës. Ai është një frymëzim për çdo artist, intelektual dhe qytetar që kërkon të ndërtojë një botë më të drejtë dhe më të lire.  Maks Velo ishte një artist me një stil të veçantë që sfidonte normat dhe pritshmëritë e artit tradicional shqiptar. Pikturat e tij dalloheshin për ngjyrat e forta, format gjeometrike dhe një ndjenjë të thellë të lirisë.

Maks Velo

Ai nuk i përmbahej rregullave strikte të realizmit socialist, që ishte dominant në epokën kur krijoi, por kërkonte të shprehte emocionet dhe mendimet e tij në mënyrë autentike. Stili i tij shpesh përmbante një ndërthurje mes arkitekturës dhe pikturës, duke reflektuar pervojen e tij si arkitekt dhe pasionin për hapësirat” vijon Bardhyli.

Maks Velo mbetet dhe rebeli i madh kundër sistemit totalitar shqiptar, një rebelizëm që më parë nisi me veprat e tij.

“Elementet abstrakte dhe simbolike në veprat e tij shpesh shprehën rebelimin e tij ndaj shtypjes dhe kufizimeve, ndërsa temat e tij  flisnin për dramat personale, të tilla si burgimi dhe vuajtjet nën regjimin totalitar. 

Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli

Kritikët shpesh e përshkruajnë stilin e tij si një thirrje për liri, një përpjekje për të krijuar një botë alternative ku artisti dhe shpirti i tij të mbeten të paprekur nga realiteti brutal i kohës. Në pikturat e tij, Maks Velo krijoi një gjuhë universale të ndjesive njerëzore, duke i dhënë artit shqiptar një zë unik. Vepra e tij mbetet një thesar i çmuar që frymëzon brezat e rinj për të ndjekur rrugën e guximit dhe autenticitetit në art” përfundon  drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli

Aktiviteti hapës i këtij viti përkujtimor mbahet në datë 4 Shkurt në ambientet e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” . Maks Velo pason shkrimtarin Petro Marko, për nder të të cilit viti 2024 ishte shpallur “ Viti i Petro Markos”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë