Kryetari i ri i Bashkisë së Devollit, Eduard Duro, është betuar ditën e sotme pas konstituimit të këshillit.
Mbledhja u zhvilloi te godina e n/prefekturës, pasi demokratët nuk e lejuan që të zhvillohen te bashkia e Devollit, që drejtohet nga i zgjedhuri i PD-së. Mbështetësit e bashkisë u mblodhën para bashkisë, pasi nuk e njohin kandidatët e PS-së.
Duro pas betimit u shpreh se nga sot fillon një qeverisje e re.
“Nga sot për Devollin fiton një qeverisje e re, që do të ndryshojë qytetin e Bilishtit dhe fshatrat e Devollit”, tha ai.
Ndërkohë, kreu aktual i bashkisë, përfaqësues i PD-së, Bledjon Nallbati, deklaroi më herët për mediat se 30 qershori është shfuqizuar dhe se nuk ka kryetar dhe këshill të ri. Ai ka theksuar se do të mbrojë Kushtetutën.
“Ne po vijojmë punën. Nuk ka pasur zgjedhje. Populli i abandonoi. Ishin zgjedhje të PS. Bashkia po uzurpohet. Ne zbatojmë dekretin e Presidentit. 30 qershori është shfuqizuar. Do mbrojmë Kushtetutën. Nuk ka kryetar të ri, as këshill të ri. Kryetarët vijnë dhe ikin me zgjedhje. Nëse bashkia pushtohet do t’i ndalojmë dhe procedojmë pranë prokurorisë”, deklaroi Nallbati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.