Politike

Betohen para presidentit Begaj dy ministrat e rinj. Ibrahimaj tek Biznesi dhe Mete tek Financat

Janë betuar në presidencë, ministra e rinj të kabinetit Rama, pasi u miratuan në Kuvend.

Përpara Presidentit Bajram Begaj, u betuan pas leximit të formulës së betimit, Ervin Mete, Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe Delina Ibrahimaj, Ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Ceremonia e betimit të anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave, u zhvillua sot në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Ceremonia e betimit të tyre u shty për shkak të detyrës që Mete mbante më parë si anëtar i bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Dorëheqja nga ky post iu miratua nga deputetët me 95 vota pro në senacën e së hënës. Specifika e Metës mbajti pezull edhe votimin për 2 dekretet për Delina Ibrahimajn, atë të shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe emërimin si ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, e cila po ashtu u betua sot.

Ndërsa të hënën pesë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, u betuan po ashtu para presidentit Begaj dhe më pas pa humbur kohë morën detyrën në institucionet përkatëse.

Në një protokoll diskret, Igli Hasani si ministri i ri i Jashtëm, Arbian Mazniku si ministër Shteti për Pushtetin Vendor, Albana Koçiu si ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ministre e Arsimit dhe Anila Denaj si ministre e Bujqësisë u betuan një nga një para Presidentit Bajram Begaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë