Politike

Beteja për Durrësin/ PS, e humbur përballë shifrave të opozitës

Bledar Hoti- Durrësi është qyteti me një peshë të madhe elektorale, i dyti pas Tiranës për nga rëndësia e përballjeve zgjedhore mes partive politike. Qyteti bregdetar ka dhuruar rezultate të ndryshme, ku rrallëherë është identifikuar si bastion i së majtës apo i së djathtës, krahasuar me një tjetër qytet të madh si Fieri që konsiderohet si “hambari i votave” të socialistëve. Në jo pak raste rezultatet kanë surprizuese siç ishin ato të vitin 2005, ku e majta u sfidua dukshëm nga e djathta,e cila i fitoi të gjitha mandatet e deputetëve të Durrësit. Ndërsa e majta e theu të djathtët në disa zgjedhje të mëpashme vendore apo parlamentare.

Nga kjo lëvizje votash, zgjedhjet e ardhshme për bashkinë e Durrësit shihen si një garë e fortë, për shkak të lëvizjeve politike ku Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet janë shkëputur nga koalicioni i majtë dhe i janë bashkuar koalicionit të djathtë.

Prej 3 mandatesh, Durrësi fitohet nga socialistët me kandidatin e tyre Vangjush Dakon, i cili që nga 2007 është në krye të bashkisë. Tashmë marrja e bashkisë nga demokratët ëshë kthyer në një tabu, pasi të djathtët nuk e drejtojnë këtë qytet që prej kohës kur këtë institucion e drejtonte Arqile Goreja.

Bashkimi i dy partive politike si LSI-ja dhe PDIU-ja me koalicionin e djathtë që udhëhiqet nga Partia Demokratike, duket se i ka ndezur shpresat që e djathta të jetë më pranë marrjes së bashkisë së Durrësit.

Shifrat e votave më të fundit, parlamentaret të vitit 2017 dhe ato lokale të vitit 2015 flasin në favor të kampit opozitar, duke bërë që rivaliteti politik mes PS-së dhe koalicionit opozitar të jetë tejet i fortë, e kjo e kondicionuar edhe nga kandidatët që partitë do të ofrojnë si alternativa për qytetarët durrsakë në betejën e ardhshme elektorale, si dhe nga fakti i drejtimit të kësaj njësie vendore për një kohë të gjatë nga i njëjti kryebashkiak.

Votat e zgjedhjeve 2015

Në zgjedhjet lokale të vitit 2015 pati vetëm dy rivalë përë bashkinë e Durrësit.

 Koalicioni i PS-së kandidoi me Vangjush Dakon e PS-së dhe ai i PD-së me Grida Dumën. Kjo garë u duk tejet e fortë, pasi demokratët shpresonin që me kandidaten e tyre të mposhtin Dakon, i cili kishte dy mandate në krye të bashkisë së qytetit bregdetar. Madje u duk se të gjithë motorët e fushatës së opozitës u përqendruan në Durrës, duke "harruar" betejën për Tiranën.

Por, Dako fitoi përballë këtë përballje të tretë elektorale duke marrë 56 mijë vota, ndërsa kandidatja demokrate Duma mori 42,284 vota. Fitorja ishte e thellë me një diferencë prej 13,720 votash. 

Fitorja e Dakos ndërkohë i dedikohet edhe votave të partive të koalicionit, në të cilën aderonin Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Në këto zgjedhje lokale këto dy subjekte kanë marrë gjithsej mbi 26 mijë vota, ku respektivisht LSI-ja, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, mori  22,442 vota dhe PDIU 4,313  vota. Këto vota ndikuan ndjeshëm që Dako ta rifitonte bashkinë.

Nëse LSI dhe PDIU do të ishin në krahun e opozitës në këto votime, atëherë fituese do të ishte kandidatja demokrate Duma me rreth 70 mijë vota, ndërsa Dako mund të merrte vetëm rreth 30 mijë vota.

Gjithashtu nëse këto tre parti PD, LSI dhe PDIU do të kishin dalë bashkë në zgjedhje atëherë PS-ja do të humbiste edhe këshillin bashkiak. Koalicioni i majtë nga 65.250 vota do të zbriste në 38,745 vota, ndërsa koalicioni i djathtë do të shkonte nga 31.552 vota në 57.927 vota.

Duhet thënë se Dako në votimet e fundit mori rreth 10 mijë vota më pak se koaliconi i majtë. Ndërsa kandidatja demokrate Duma mori vota më shumë se koaliconi i djathtë, gjithsej 11.132 vota.

Grida Duma duke votuar ne zgjedhjet lokale te 21 qershorit 2015

Shifra këto që tregojnë se votuesit nuk kishin besim ndaj Dakos, ose zgjedhësit e partive aleate të koalicionit të majtë nuk i orientuan elektoratit që të votonin ndaj kandidaturës së tij.

Zgjedhjet parlamentare

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 do të mbahen mend si të vetmet ku partitë politike konkurruan pa koalicione politike, por si subjekte më vete. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur prej afro dy dekadash. Mos dalja në koalicione i ka penalizuar partitë e mëdha, por edhe LSI-në, e cila kërkonte të merrte sa më shumë mandate deputetësh.

Por si janë ndarë votat në këto zgjedhje?  Partia Socialiste mori 48.288 vota, duke pësuar një rënie nga shifrat e katër vite më parë. Ndërsa PD u rendit partia e dytë në bashkinë e Durrësit, me rreth 27, 500 vota, duke pësuar rritje të vogël në krahasim me 4 vite më parë. Ndërsa LSI-ja u rendit forcë e tretë me rreth 23 mijë vota dhe PDIU me PDIU 3.756  vota.

Nëse këto shifra janë në mënyrë hipotetike edhe në zgjedhje lokale, atëherë i bie që e djathta të fitojë bashkinë e Durrësit me një diferencë të vogël votash. Me konfigurimin e ri politik do të kishim PS me 48.288 vota, ndërsa koalicioni opozitar  PD, PDIU, LSI me një total prej 48.857 votash, 569 vota si diferencë.

Vangjush Dako pritet të mos kandidojë për mandat të katërt për bashkinë e Durrësit. I gjendur përballë akuzave të opozitës për bashkëpunim dhe lidhje me një grupin të kapur së fundmi nga policia, të njihur si të fortët e Shijakut që akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, duke i përdorur për blerjen e votave, Dako në emisionin "Opinion" në TV Klan la të nënkuptonte se nuk do të synonte që të rikandidonte pas tre mandatesh, duke mos e përjashtuar mundësinë e marrjes së ndonjë posti tjetër politik. Ai e lidhi këtë me faktin se prej tre mandatesh është si drejtues i bashkisë.

"Do vazhdoj të jem kryetar, pse do jap dorëheqjen? Akuza nuk është asnjë gjë. Nëse Gjykata të fut në burg, ti automatikisht ikën nga kryetar bashkie. Mund ta shikoj veten edhe në ndonjë pozicion tjetër politik", tha  Dako të enjten e shkuar në "Opinion".

Kryebashkiaku aktual është edhe drejtuesi politik i qarkut të Durrësit. Akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha për arrestimin e tij, ai iu kundërpërgjigj me faktin se PD me liderin aktual nuk merr asnjë votë në qarkun e Durrësit.

" O Lulëzim Basha! Ti duhet t'i harrosh Durrësin, Shijakun dhe Krujën.. Sepse dikur edhe votonin për Saliun e për PD, po për toçin e Saliut votojnë vetëm nostalgjikët e PD dhe aq! Ti duhet ta kuptosh që s'ke vota o Lulëzim dhe s'ta kam fajin as unë, as durrsakët, as shijaksit as krutanët. NUK KE VOTË! Je një peshk rezervati që nuk hahesh dot dhe hidhu përpjetë sa të dush me kaseta me telefonata e me sajesa vemjesh.. Ty nuk të beson askush o toçi i Saliut që i hap telefonin vetëm kunatit. Kurse mua më besojnë se ju hap telefonin të gjithëve dhe s'i kam duart as me gjak, as me zhul eurosh si puna jote! Ti vazhdo dil e shpif përditë jo krimi, jo droga, jo leku, jo byreku, se ka ardh koha t'i marr edhe ca lekë unë nga thesi që të mban kunati ty. Do shihemi në gjyq bashkë ose në fakt jo, se ti merr raport mjekësor kur të thërret gjykata. Toç!", do të reagonte Dako në një postim në Facebook.

PS edhe pse nuk e ka vendosur në mënyrë përfundimtare pritet të dalë me një kandidat të ri për bashkinë e Durrësit. Zërat flasin për drejtorin e OSHE-së, Ardian Çela, si kandidat më të mundshëm.

Ndërsa PD-ja akoma nuk ka ende ndonjë emër të sajin për bashkinë e Durrësit, edhe pse mund të "detyrojë" deputetët e saj të këtij qyteti që lënë mandatin për t'iu futur betejës për karrigen e kryebashkiakut.

Në caktimin e kandidatëve, demokratët duhet të llogarisë dhe të marrë në konsideratë edhe pretendimet e LSI-së, e cila mund të kërkojë që të ketë një kandidat të sajin në siglën e opozitës. LSI është një parti me peshë të madhe elektorale në Durrës.

Beteja e radhës për Durrësit pritet të jetë tejet e zjarrtë dhe ashpër deri për votën e fundit, pasi këtë panoramë na dhurojnë shifrat e zgjedhjeve parlamentare, ku diferenca mes dy PS-së dhe koalicionit opozitar është tejet e ngushtë, mbi 500 vota.

Tabela/Votat shifrat

Zgjedhjet lokale 2015

Koalicioni i majtë        65,520 vota

Partia Socialiste           27,642 vota

LSI                              22,442 vota

PDIU                           4,313   vota

LSI dhe PDIU            26,775  vota

Koalicioni i djathtë   31,152 vota

Partia Demokratike 25,439 vota    

Kandidatët

Vangjush Dako PS      56.004 vota

Grida Duma PD          42,284 vota

 Zgjedhjet parlamentare 2017

Partia Socialiste 48.288 vota

Lëvizja Socialiste për Integrim 17.364 vota

Partia Demokratike 27.467     vota

PDIU 3.756    vota

Totali i bllokut opozitar  PD, PDIU, LSI  48.857 vota


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë