Politike

Beteja e videove. Rama-Basha sulmojnë njëri-tjetrin: Fabrikon prova

Beteja politike pas publikimit të videos më të fundit mbi audiopërgjimin ku pretendohet se është edhe zëri i vëllait të Ministrit të Brendshëm, vijon më e nxehtë se kurrë. Duket se palët po shpalosin ditë pas dite video në favor të tezës që ato mbrojnë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ditën e sotme në një dalje për mediat nga selia blu u shpreh se “shteti privat” i Edi Ramës vendosi të fabrikojë prova e dëshmitarë për të shpëtuar kriminelët.

“Shqipërisë sot i është instaluar një shtet privat i Edi Ramës, një shtet që funksionon jashtë kushtetutës, jashtë ligjeve dhe jashtë çdolloj mbikëqyrjeje apo kontrolli. Dje Edi Rama e pranoi vetë ekzistencën e këtij shteti privat, kur deklaroi publikisht se ai ka një strukturë të posaçme hetimore që i shërben atij personalisht. Mbrëmë të gjithë shqiptarët panë fytyrën e këtij shteti privat. Deputetë, punëtorë të policisë dhe prokurorë që fabrikojnë prova dhe dëshmitarë për të shpëtuar kriminelët. Edhe pse nuk u përmendën me emra, drejtues dhe pjesë të kësaj strukture dhe këtij inskenimi janë pa asnjë dyshim dhe Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku. Pra, të gjithë së bashku kanë komplotuar për të fshehur të vërtetën dhe për të mbrojtur Agron Xhafën”, u shpreh Basha.

Në fund, Basha u shpreh i bindur se të gjithë do të dalin para drejtësisë dhe kjo diktaturë mafioze do të shkatërrohet. 

“Kjo diktaturë mafioze duhet të shkatërrohet. Kush ndihet mbi ligjin, së shpejti do të jetë përballë ligjit. Rama, Balla, Xhafa, Marku, Veliu e shërbëtorët e tyre do të dalin para drejtësisë, sikur të gjithë kriminelët e tjerë. Drejtësia ndaj tyre nuk do të mungojë dhe rruga e pandëshkueshmërisë do të marrë fund bashkë me pushtetin e tyre”, e mbylli fjalën e tij Basha.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar të reagojë fill pas akuzave të Bashës se kanë komplotuar të gjithë së bashku për të manipuluar të vërtetën.

Në një postim në “Twitter”, Rama i drejtohet kryedemokratit, duke i thënë se u kap me presh në dorë, por se sërish nuk i rrihet pa sajuar. Ai i thotë rivalit të tij politik të mos shpresojë se do rri mbuluar ajo që dinë të dy.

“E di Artist, keq puna! Po ca nga sikleti se u kape me prasin në dorë këtë herë e ca nga vesi që del me shpirtin dhe ty as nuk të rrihet pa vazhduar të sajosh e të gënjesh?E di o xhan që ti edhe veten e gënjen si askush, po mos shpreso kot se do rri mbuluar ajo pjesa që dimë të dy”, shkruan Rama në “Twitter”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1049997943804190720

Por, kreu i qeverisë nuk anashkalon edhe rastin e Xhisielës, ku i bën thirrje Bashës që ta lëshojnë vajzën dhe të përballen me shpifjen.

“Ah dhe diçka me rëndësi: Po me vajzën çfarë dreqin ke që s’e le rehat? Ajo peng i krimit? Pengu juaj po, pa diskutim! Lëshojeni vajzën e bëhuni njëherë të vetme burra dhe përballuni me shpifjen tuaj! Ik merri kamerat e komisariatit e shikoji bashkë me lehaqeniet e kazanit tënd?”, shkruan kreu i qeverisë.

https://twitter.com/ediramaal/status/1050001649631199233

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë