Rend dhe Ligj

Besnik Cani padit gjyqtarin e vettingut në SPAK: Falsifikoi formularin e deklarimit

Besnik Cani pretendon se dy anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë emëruar në kundërshtim me ligjin dhe kriteret e përcaktuara prej tij dhe për rrjedhojë kërkon përjashtimin nga trupa gjykuese e vettingut të shkallës së dytë, që po shqyrton ankimimin e Komisionerit Publik ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Subjekti e ka humbur besimin tek dy anëtarët dhe kërkon përjashtimin e tyre”, deklaroi avokati Eduard Halimi, që përfaqëson Besnik Canin në këtë proces.

Veç kësaj, Halimi tha se klienti i tij ka dorëzuar në SPAK padi ndaj dy anëtarëve Luan Daci dhe Ardian Hajdari. I pari akuzohet se gjatë marrjes në pyetje nga komisioni i vlerësimit të kandidaturave për në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ka gënjyer duke fshehur në të shkuarën një vendim shkarkimi, ndërsa i dyti akuzohet se ka gënjyer për notën mesatare të studimeve.

Kolegji i dha pjesërisht të drejtë pretendimeve të Besnik Canit, duke vendosur që Luan Daci dhe Ardian Hajdari të vazhdonin të ishin pjesë e trupës prej 5 gjyqtarësh që po shqyrton ankimimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por përjashtoheshin nga vendimmarrja.

Komisioneri Publik ka apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që vlerësoi pozitivisht Besnik Canin, duke ngritur pikëpyetje mbi etikën dhe profesionalizmin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë