Biznes

Besimi i bizneseve vazhdon në rënie edhe gjatë shtatorit, i konsumatorëve me rritje të lehtë

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, besimi i bizneseve dhe konsumatorëve shënoi rënie me 1.8 pikë gjatë muajit shtator krahasuar me muajin gusht. Kjo tendencë rënëse vjen pas rritjes së konsiderueshme të shënuar gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2021.

Pavarësisht nga rënia e dy muajve të fundit, niveli aktual i TNE-së qëndron 7.6 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rënia e TNE-së gjatë muajit shtator u përcaktua nga rënia e besimit në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve.

Treguesi i besimit në ndërtim pësoi rënie me 6.4 pikë përqindje në muajin shtator, një zhvillim ky në kah të kundërt të trendit të tij pozitiv gjatë muajve të fundit. Kjo rënie pasqyroi vlerësimin e bizneseve për një nivel më të ulët të aktivitetit ndërtues dhe të porosive aktuale. Megjithatë, treguesi i besimit në ndërtim qëndron ndjeshëm më lart se sa mesatarja historike.

Edhe treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie me 4.2 pikë përqindje, pas rritjes që kishte përjetuar për disa muaj rresht. Sidoqoftë, edhe ky tregues mbetet mbi mesataren afatgjatë. Rënia e muajit shtator rënie u ndikua nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit dhe nga ai i kërkesës.

Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industrisë dhe sektorin e tregtisë, së bashku me besimin konsumator, u përmirësuan në muajin shtator.

Treguesi i besimit të industrisë shënoi rritje të lehtë prej 0.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, rritje e cila i atribuohet ecurisë pozitive të kontratave porositëse nga eksportet. Por, balancat për prodhimin dhe kontratat porositëse në total ishin në rënie krahasuar me muajin gusht.

Edhe treguesi i besimit në tregti u rrit me 1 pikë përqindje krahasuar me muajin paraardhës. Kjo rritje është ndikuar nga vlerësimet e bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre, ndërkohë që pritjet për nivelin e punësimit kanë pësuar rënie.

Treguesi i besimit konsumator shënoi një rritje të lehtë në muajin shtator, duke vijuar kështu trajektoren e tij rritëse dhe duke arritur në vlerën e mesatares së vet afatgjatë. Rritja u drejtua nga pritshmëritë për përmirësim dhe rritjen e vëllimit të blerjeve momentale dhe në të ardhmen.  I vetmi komponent që shënoi rënie ishte ai i pritjeve për situatën e përgjithshme ekonomike.

Muaji shtator dhe Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe Konsumatrëve të këtij muaji nuk pasqyrojnë rritjen e vrullshme të çmimeve dhe kontraditat që shoqëruan atë. Fenomen që u shtua në fillim të muajit tetor 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë