Ka ndodhur

Bes Kallaku festoi ditëlindjen me 30 vetë (përfshi Metën), policia gjobit lokalin

Policia e Tiranës ka gjobitur me 1 mln lekë administratorin e lokalit ku festoi ditëlindjen aktori Bes Kallaku, ku ishte i ftuar dhe Presidenti Ilir Meta, përveç personazheve të tjerë të njohur.

"Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19", thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka gjobitur me 1 milion lekë administratorin e lokalit shtetasin F. U., në bazë të aktit normativ.

"Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19", vijon më tej njoftimi.

Njëkohësisht janë pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë.

Ndër të tjera, policia apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë