Ekonomi

BERZH: Me pak mjekë. Varësi nga turizmi. Ekonomia vështirësi përballë krizës

Dy pikat e dobëta të Shqipërisë që do të ndikojnë në përballimin e krizës së shkaktuar nga përhapja e Covid-19, janë numri i paktë i mjekëve për 100 mijë banorë dhe varësia nga turizmi.

Këtë e  thotë raporti më i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i publikuar sot (të mërkurën) i cili jep vlerësime mbi rezistencën e ekonomive në zhvillim ndaj krizës së shkaktuar prej koronavirusit.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) ka kryer një monitorim për të vlerësuar aftësinë, ose ndryshe sesi ekonomitë në zhvillim në rajonet e tij përballojnë ndikimin e pandemisë Covid 19.

Pandemia po i vendos sistemet shëndetësore të shumë vendeve në një vështirësi të papaparë më parë, teksa masat e marra, si izolimi peshojnë në të dyja, oferten dhe kërkesë.

Goditjet e jashtme, përfshirë rënien e çmimit të mallrave, prishja e zinxhirit të furnizimit, si dhe rënia e turizmit dhe të ardhurat nga emigrimi, janë duke komplikuar ndikimin e këtyre masave të brendshme.

Raporti i BERZH në analizën e tij mat katër tregues: rezistencën e sistemit shëndetësor, rezistencën ndaj ndërprerjeve të brendshme, rezistencën ndaj goditjeve të jashtme dhe hapësirat për politika monetare dhe fiskale.

Në rezistencën e sistemit shëndetësor, Shqipëria renditet në nivel të moderuar në lidhje me shpenzimet e sektorit shëndetësor, së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi.

Shtetet e tjera të rajonit e kanë të lartë këtë tregues.

Shqipëria renditet poshtë edhe për numrin e mjekëve për 100 mijë banorë. Të njëjtën problematikë shfaq edhe Kosova. Vendet e tjera të rajonit  këtë tregues e kanë të moderuar ose të lartë.

Rezistencën ndaj ndërprerjeve të brendshme, Shqipëria e ka të lartë ndaj goditjeve në tregun e pakicës dhe të moderuar ndaj goditjeve në tregun e punës.

Kurse, në rezistencën ndaj goditjeve të jashtme, Shqipëria ka rezistencë ndaj çmimeve të produkteve, zinxhirit global të vlerës dhe remitancave, por është e brishtë ndaj turizmit, të ardhurat e të cilit përbëjnë më shumë se 20% të prodhimit të brendshëm bruto.

Vendi ka hapësirë të moderuar për politikën fiskale, ndërsa ka si avantazh një sistem financiar të fortë.

Shumë qeveri në botë për tiu përgjigjur krizës kanë premtuar mbështetje të fortë financiare për individët dhe bizneset që po përjetojnë humbje të të ardhurave si pasojë e emergjencës dhe kanë siguruar likudidet shtesë në sistemin financiar. Paketat nuk janë të njëjta, janë në varësi të buxhetit të secilit vend. Në Shqipëri paketa e shpëtimit antiCovid-19 ka qenë e diskutueshme dhe bizneset kanë deklaruar se ajo është e pamjaftueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë