Politike

Berisha zgjodhi Ilir Metën, por ndau PD

Mbledhja e të mërkurës e komisionit të Ligjeve në thelb pati një qëllim: Që Ilir Meta të kalojë kontrollin e pastërtisë së figurës sërish edhe pse e ka një të tillë nga dy komisionet e mëparshme: Komisioni Mezini dhe ai Bezhani.

Nisma u propozua nga PS-ja pas publikimit të emrit të ish-presidentit të Republikës si pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit nga disa të dhëna të reja që nxori Autoriteti i Dosjeve.

Diskutimi dhe më pas votimi në komisionin e Ligjeve i vuri kapakun disa hamendjeve në media për qëndrimin e Sali Berishës.

Mospjesëmarrja e tij në protestën e thirrur nga Ilir Meta tek incineratori i Tiranës, mungesa e protestave të sinkronizuara në shtator, ndezja e “motorëve” ende fikur nga opozita, përgjigja mjegullt e vete Ilir Metës për opozitën e vjeshtës, mungesa e një takimi publik mes tyre, si dhe deklarata përgjithësuese pa data konkrete e Sali Berishës se protesta do të ketë ngado, paracaktonin një ftohje mes tyre që disa syresh e lidhnin pikërisht me qëndrimin e Berishës për dosjen e Ilir Metës.

Mbledhja e Komisionit të Ligjeve qartësoi dilemën por ndau palët, në këtë rast PD.

Sali Berisha vendosi t’i qëndrojë në krah Ilir Metës kur ‘dërgoi’ bashkëpunëtorin e tij Oerd Bylykbashi (si anëtar i Komisionit) se ishte kundër draftit të PS-së për tre arsye: Cenonte sigurinë juridike, Kushtetutën dhe se me parë duhej ligji për lustracionin i vitit 2008.

Ndryshe nga Bylykbashi, i cili foli me po aq nxitim sa kishte edhe praninë në mbledhjen e mëvonshme të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, Saimir Koreshi dhe Gazment Bardhi (që rreshtohen në kahun tjetër brenda PD-së) e morën shtruar çështjen gjatë mbledhjes së komisionit.

Të tre ata, kush hapur e kush me disa sqarime, ishin pro nismës së PS-së. Në thelb nisma sipas tyre ishte e vonuar, se duhej propozuar nga PD dhe se ata kanë merak fenomenin dhe jo një individ të caktuar.  

Komisioni votoi pro, asnjë votë kundër.

Mungoi në votim  Oerd Bylykbashi që ndodhej në anën tjetër të bulevardit, në një tavolinë me Sali Berishën.

Ky i fundit nuk e përmendi në ligjëratën e tij çështjen “Meta”, por u fokusua në debatet e vjetra për sigurinë në vend.

Fundja mesazhin e kishte përcjellë më herët...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë