Politike

Berisha: Të nisim betejën kundër pazarit Basha-Rama. Nishani: Të ngrihemi me çdo çmim!

Ditën e takimit të parë jashtë Tirane me bazën (Fier), ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërndarë një video duke e konsideruar procesin e iniciuar prej tij si moment historik për sovranitetin e vendit.

“Nis beteja për Shqipërinë dhe nga pazaret e turpshme  nga pazaret e  fëlliqura të Lulzim Bashës me Edi Ramën... PD do të dalë nga kjo betejë më e fortë më e bashkuar”, thotë Berisha në video, një fragment në fakt i shkëputur nga deklarata e tij bërë para fillimit të sesionit të ri parlamentar, në ambientet jashtë Kuvendit.

Në të njëjtën ditë, edhe ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i rreshtuar krah Berishës, ka bërë thirrje për kryengritje me çdo çmim ndaj dyshes Basha-Rama.    

“Edi Rama & Lulzim Basha synojnë e punojnë që shqiptarët të konsiderohen e trajtohen si qytetarë të Klasit të II-të!

Sipas platformës së tyre; Për shqiptarët mjafton kjo ekonomi mizerabël, Për shqiptarët nuk ka nevojë për shtet serioz dhe institucione normale, Për shqiptarët nuk ka nevojë për rregulla e kode demokratike, Për shqiptarët nuk janë të rëndësishme liria, të drejtat themelore, dinjiteti, Për shqiptarët nuk janë të nevojshme standardet që gëzojnë popujt & shoqëritë e tjera evropiane. Mjafton që Rama & Basha të vegjetojnë mbi mjerimin dhe talljen ndaj shqiptarëve. Shqiptarët të mos lejojnë kurrë që t’i konsiderojnë e trajtojnë si qytetarë të Klasit të II-të! Kurrë, me çdo çmim që të nevojitet!”, shkruan Nishani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë