Dy portierët e Kombëtares po përjetojnë momente krejtësisht të ndryshme në Itali. Tomas Strakosha ka përplasje me klubin, nuk po luan dhe me shumë mundësi do të largohet nga Lacio, ndërsa Etrit Berisha është kthyer si në kohët e arta, teksa sot është kualifikuar me Spalin e tij për në çerekfinale të Kupës së Italisë, ku e pret Juventusi.
Spali ka mundur 0-2 Sasuolon, me gola të Misirolit dhe Dikman. Skuadra vendëse mbeti me 10 vetë në fillimin e pjesës së dytë, pasi Djuriçiç doli me të kuq për një ndërhyrje të ashpër. Spali më pas shënoi 2 gola dhe menaxhoi mirë ndeshjen deri në fund, duke e merituar plotësisht kualifikimin. Pjesën e tij në këtë kualifikim ka edhe Berisha, i cili ishte në lartësinë e detyrës.
Më parë Spali i Berishës ka eliminuar nga Kupa e Italisë skuadra si Bari, Krotone dhe Monca. Në kampionatin e Serisë B, Spali mban vendin e 5-të dhe është 5 pikë larg kreut dhe 2 pikë larg vendit të dytë. Berisha është pa dyshim një nga pikat më të forta të skuadrës, falë përvojës së tij. Edhe në ndeshjet e fundit të Kombëtares portën e ka mbrojtur ai, madje trajneri Reja i ka besuar edhe shiritin e kapitenit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.