Politike

Berisha rizgjidhet kryetar i PD-së, kryedemokrati: Rezultat historik

Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha është rikonfirmuar si kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e mbajtura sot për kreun e selisë blu me mbi 37 mijë vota pro.

Kryedemokrati Sali Berisha ishte i vetmi kandidat në garë, ndërsa e kishte cilësuar procesin e 23 majit si një “referendum” për drejtimin e partisë.

Sali Berisha mbajti edhe një fjalim para mbështetësve të tij nga selia blu.

Berisha falënderoi të gjithë anëtarësinë që mori pjesë në zgjedhje, edhe ata që abstenuan apo votuan kundër. Për këtë të fundit e pati edhe një mesazh.

“Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike. Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe. I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan”, u shpreh kryedemokrati.

Berisha mori 1051 vota kundër, kurse 506 ishin abstenim.

Ai i cilësoi votimet në PD si më të rëndësishmet, proces model duke u shprehur se beteja do vijonte deri në rrëzimin e regjimit, të pamposhtur:

“Votimi më i rëndësishëm dhe më i jashtëzakonshëm. Do të vijojmë betejat tona të fuqishme, gjer në fitore të plotë, me vendosmëri për të përmbysur diktaturën e dytë”.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Rama.

“Njeri sharlatan, pa dinjitet, kujton se ke fituar, por je kufomë politike dhe fundin e ke të shpejtë”.

Dhe duke e paralajmëruar kreun e mazhorancës për fundin e tij politik, i kujtoi se:

“Edi Rama dije mirë se për këtë ushtri 40 mijë, ti ke zero legjitimitet. Kudo të shkosh edhe në hënë dhe prapa diellit shkon një sharlatan. Shkon njeri pa legjitimitet. Do trajtohesh si i tillë deri në ditën e largimit nga pushteti. Parti e votës së lirë. Mendove se me 11 maj fitove. Buzëqeshjen ta ngrimë muaj më parë. Kufomë politikë. Fundit e ke të shpejtë. Demokratë e demokrate, sot keni votuar për një PD të modernizuar në të gjithë veprimtarinë e saj, për një PD të vizionit më të shkëlqyer, për një PD më të vendosur se kurrë në misionin e saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë