Politike

Berisha: Rama në Bled nuk shkon si sovran, por si një argat i mjerë i Vuçiçit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të qeverisë Edi Rama lidhur me pyetjen se nëse do të takohet apo jo në Bled me kryeministrin e Kosovës. Në konferencën e djeshme për shtyp kryeministri Rama iu përgjigj shkjurt kësaj pyetjeje, duke nënvizuar se “qëndrimet e tij janë qëndrimet e tij, qëndrimet e Albinit janë qëndrimet e Albinit”. “Albini është sovran në detyrën e tij, unë jam sovran në të drejtën time për të pasur qëndrimet e mia. Kaq!", u shpreh Rama dje.

“Por e vërteta është se Rama gënjeu mbasi ai vetëm sovran nuk është, por është thjesht një argat mjeran i Aleksandër Vuçiç dhe jo vetëm kaq! Rama në Bled shkon si sovran i menderosur, mbasi ai shkon aty si i vetmi kryeministër që mbështeti pas ardhjes së tij në pushtet çdo nismë serbomadhe dhe antishqiptare të padronit të tij Vuçiç duke filluar nga ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës, te Ballkani Serborus i Hapur, projekt antieuropian, tek fjalimet e tij kundër kërkesave dhe insistimit të NATO-s dhe BE-së për respektimin nga Serbia të sanksioneve të tyre të vendosura ndaj Rusisë”, shprehet Berisha.

Sipas Berishës, “Rama ishte i vetmi kryeministër që kalonte nga samiti në samit me tezën se Serbia nuk mund të zbatojë sanksionet ndaj Rusisë ndaj dhe është gabim t’i kërkohet Vuçiçit zbatimi i tyre. Sipas tij Serbia duhet të pranohet si Rusi e vogël, prapavijë e Rusisë së madhe në Ballkan”.

“Rama shkon në Bled si sovran i menderosur sepse ai në një akt të pashembullt antikombëtar, me urdhër të Aleksandër Vuçiç, i futi thikën pas shpine Kosovës, aplikoi i pari sanksionet ndaj saj, anuloi mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë dhe ndërmori turin ballkanik anti-Kurt, anti-Kosovë që iu përmbys tërësisht dhe iu kthye në boomerang poshtërues ndaj tij.
Duke besuar se do të bëhej violinë e parë në zgjidhjen e problemeve midis Kosovës dhe Serbisë, vetëm se kishte autorizmin e padronit të tij Vuçiç, Rama u shkruajti si euroatlantist i madh letra të mëdhenjve të Europës me propozime konkrete të pakërkuara nga njeri përveç padronit të tij Vuçiç lidhur me statusin e shoqatës së komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilat përfunduan në koshin e satirës dhe humorit diplomatik”, thotë Berisha.

Sipas tij, “në përpjekjen e tij për të marrë rol ndërkombëtar në krizën e Kosovës dhe Serbisë, Rama u nis të vendosë vetullat dhe nxorri sytë, mbasi i provoi komunitetit ndërkombëtar se ai nuk ka vlerë dhe se përveç Vuçiçit, Ramën në rajon nuk e pyet njeri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë