Futboll

Berisha protagonist negativ me një gafë, Ismajli më i miri në ‘derbin’ e shqiptarëve

Gazeta Si – Mbrëmje ‘Jo’ për disa nga futbollistët e Kombëtares që luajnë në Itali. Ishte një derbi mes tyre në fakt ndeshja e sotme mes Empolit dhe Leçes, që përfundoi 1-1. Plot 6 lojtarë kuqezi ishin pjesë e kësaj sfide, 3 titullarë (Berisha dhe Ismajli me Empolin dhe Ramadani me Leçen) dhe 3 në stol (Shpendi tek Empoli dhe M.Berisha e Dermaku te Leçe.

Më e errët ishte kjo mbrëmje për Etrit Berishën, autor i një gafe që solli golin e Leçes. Portierit kuqezi i kaloi topi në mes të këmbëve dhe shtypi sportiv italian nuk e ka falur, sikurse pritej. “Nota 5. Evident faji i tij në golin e Bandës, topi i kalon mes këmbëve”. Ky është vlerësimi për Berishën, të cilin e shpëtoi një autogol i Leçes, pasi humbja do ta rëndonte më shumë gabimin e tij.

Ardian Ismajli është vlerësuar me notën 6 për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje. Ylber Ramadani, si rrallëherë, është vlerësuar me notën 5.5, çka do të thotë se edhe ai ishte në një ditë të keqe, madje u ndëshkua edhe me një karton të verdhë.

Sulmuesi i Shpresave, Stiven Shpendi, u fut në fushë që në pjesën e parë, pas dëmtimit të Kaputo. Edhe ai nuk mundi të bënte diçka pozitive dhe u vlerësua me notën 5.5. Një ndeshje jo e mirë në total për kuqezinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë