Politike

Berisha: Pasi vodhi 200 milionë euro, Rama po merr 100 milionë euro kredi për plehrat

Nga Gazeta 'Si' - Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme, akuzoi kryeministrin Edi Rama, si përgjegjësin kryesor për abuzimet për çështjen e inceneratorëve.

"Dua të informoj se pasi kanë vjedhur mbi 200 milionë euro me djegësat, të cilët nuk ekzistojnë, Edi Rama po merr një kredi mbi 100 milionë euro, pikërisht për t’u rikthyer aty ku ishin në vitin 2013, te strategjia me landfille- veçim dhe riciklim.

Kur mediat publikuan këtë lajm, si një gënjeshtar ordiner, Edi Rama e quajti akt i një të marri, publikimin. Por dokumentet faktojnë se kjo është një e vërtetë, dhe ne do njohim publikun që tregojnë se pasi kanë vjedhur 200 milionë me djegësat, detyrohen të kthehen te ajo strategji, të cilin qeveria e mëparshme e hartoi me 4 milionë euro mbështetje nga Komisioni Europian, dhe Edi Rama e dogji në mënyrë antiligjore me djegësat e tij që nuk ekzistojnë", deklaroi Berisha.

Ai ngriti akuza sa i përket çështjes së inceneratorëve, duke deklaruar se institucionet po paguajnë, pavarësisht se inceneratorët nuk funksionojnë.

"Në fakt, mangësitë e Ramës janë krime të shëmtuara. Djegësi i shpallur funksionues në pranverën e vitit 2021, dhe sot e kësaj dite nuk funksionon, përreth tij është ngritur një mal i tërë plehrash, të cilin Rama u përpoq ta digjte ditën e shtunë njësoj si ato të Elbasanit.

Për djegësin e Fierit, flitet se aty nevojiten, pasi janë shpenzuar 38 milionë euro, edhe 4 milionë të tjera, që mafia e plehrave t’i vjedhë dhe përvetësojë dhe t’i çojë në kontot bankare dhe shqiptarët të marrin një rrangallë që thuhet se është çmontuar në Konstancë të Rumanisë si impiant i viteve ‘70", shtoi ai.

Ndërsa akuza lëshoi dhe ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

"Edi Rama, në apologjinë e vjedhjes më të madhe të shekullit, e quajti mangësi dhe nevoja, vjedhjen në 6 vite në djegësin e Tiranës, të 130 milionë eurove. 128 milionë prej të cilave duhet të shpenzoheshin për ndërtimin e plotë të djegësit të Tiranës. Rama dhe Veliaj janë përgjegjës kryesorë për faktin se janë zhdukur 130 milionë euro dhe gjurmët e djegësit të Tiranës nuk ekzistojnë.

Dua të informoj se nga data 4 prill e vitit 2018 deri në vitin 2023, djegësi Veliaj ka marrë nga 16 institicione, 224 pagesa në një total prej 65.9 miliardë lekë apo 65.9 milionë euro.

Por djegësi Veliaj, për të cilin nuk ekzistojnë gjurmë mbi tokë, përveç 65.9 milionë eurove, me një vendim antiligjor të Erion Veliajt, ka marrë edhe 65 milionë euro të tjera nga kompanitë private, që janë detyruar me tre polici, që çdo kuintal dhe apo inerte ta depozitojnë në minierën e floririt të Ramës dhe Veliajt", theksoi Berisha.

Ish-kryeministri theksoi se SPAK është i pafuqishëm të hetojë kryeministrin Edi Rama. Ai bëri thirrje që të dilet në protesta si reagim ndaj asaj që i cilëson vjedhjet e shekullit me inceneratorët dhe koncensionet në sistemin e shëndetësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë