Politike

Berisha padi ndaj Krichbaum: S’mund të përdorë lidhjet me Bashën për të mashtruar një popull

Sali Berisha paralajmëroi padi ndaj deputetit gjerman, Gunther Krichbaum, i cili sot (28 tetor) tha se Berisha është nën akuza të rënda nga SPAK.

“Deputeti Krichbaum, në një mashtrim publik para shqiptarëve, ka mbrojtur veprimin pa autorizimin e parlamentit, të SKAP-it të partisë dhe gjykatëses së saj.

Ky është një akt i padenjë, ky është mashtrim i një njeriu i paguar apo i papaguar, por që turpëron veten në radhë të parë.

Ky mendon se Shqipëria është e vendosur diku jashtë globit dhe nuk funksionon as interneti dhe asgjë prej gjëje dhe ku udhëtari mund të vijë dhe të lëshojë çdo shpifje dhe çdo trillim.

Mua më vjen shumë keq që them këto fjalë, por e siguroj presidentin e Bundestagut, siguroj miqtë e mi në Bundestag se ruaj respektin më të madh për atë institucion, për kontributin e atij institucioni.

Por Gunther Krichbaum i ka këto për interesat e tij personale. Por unë e garantoj Gunther Krichbaum se do i jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral”, tha ai. Më tej, Berisha shpjegoi arsyet se pse.

 “E para njëherë, ai nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një partie.

E dyta, cilido që mund të ndikohet sadopak nga trillimi i deputetit, e them me dhimbje këtë fjalë, se kur ligji bazë i Gjermanisë, ka një nen i cili quhet neni 46, i cili shkruan se asnjë njeri, as arrestim dhe as kufizim lirie nuk mund të ndodhë ndaj një deputeti, pa autorizimin e parlamentit.

I them Gunther Krichbaum, merr po deshe, meqenëse në aparancë paraqitesh si luftëtar i antikorrupsionit, provojë iniciativën e Sali Berishës të vitit 2012.

Kjo prokurori ka nisur hetimin për Sali Berishën dhe ka mbajtur hetim për 3 vite, pa kërkuar asnjë leje nga parlamenti sepse Kushtetuta e hoqi detyrimin e prokurorisë për të nisur hetimin pas autorizimit të parlamentit.

Por çfarë thotë Kushtetuta gjermane vetëm për hetimin? Jo për lëvizjen.

Zoti Krichbaum, që vjen dhe flet për ligjet naziste, duke aluduar, je një gënjeshtar, je një gënjeshtar. Nuk janë naziste ato, janë ligji bazë demokratik i Gjermanisë, mbi të cilën vendi yt, është sot një model në respektimin e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Ky ligj ka të stipuluar, jo vetëm për lëvizjet, por edhe fillimin e hetimit. Fillimin e hetimit nuk mund ta bëjë prokuroria pa marrë lejen e kryetarit të parlamentit.

Po ky ligj bazë, thotë në nenin 46 se kryetari i parlamentit jep lejen, por hetimi fillon pas 48 orësh. Ndërkohë kryetari i parlamentit informon kryetarin e komisionit për autorizimin që ka dhënë. Dhe ky i fundit informon deputetin.

Këta vijnë këtu dhe i shohin shqiptarët si qenie jashtëtokësore dhe besojnë së mund t’i mashtrojnë me çdo gjë.

Zoti Krichbaum, më vjen keq por të njoftoj sot se kam filluar që sot konsultimet me ekspertë ligjorë dhe u garantoj se do bëj çdo përpjekje për një proces të ndershëm ligjor kundër teje. Jo kundër Bundestagut, Bundestagu është një institucion që e dua shumë dhe e respektoj shumë.

Ju kam njohur edhe juve, por lidhjet e tua me Lul Bashën nuk duhet t’i përdorësh për të mashtruar, për të dezinformuar një popull të tërë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë