Politike

Berisha: Operacioni i SPAK për 50 urdhër-arrestet rezultoi kallp. Cili nga bosët u arrestua?!

I ndodhur në arrest shtëpiak, Sali Berisha njoftoi të hënën në mesditë një deklaratë për mediat.

Para një tavoline dhe një banderole pas shpinës së tij ku shkruhej ‘o sot o kurrë’, Berisha tha se operacioni i SPAK me 50 urdhër-arreste të lëshuara rezultoi kallp.  

“Dua të informoj qytetarët se nga 50 mandate, janë arrestuar apo ekzekutuar gjithsej 5 qytetarë në Shqipëri, roje, magazinier, furnitor, etj., dhe absolutisht asnjë nga bosët e 7 familjeve apo zyrtarët e tjerë, për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet.

Altin Dumani përsëriti këtu skemën e mashtrimit, që përsëriti me djegësin e Tiranës, kur tha se lëshuam 13 mandate arresti, ndërkohë që u arrestuan vetëm dy drejtorë të Erion Veliajt, se të tjerët ishin në burg.

Në këtë kontekst, ne dënojmë me forcën më të madhe dekonspirimin nga prokuroria dhe politika të këtij operacioni, që bëri të mundur shumë prej këtyre bosëve të largohen jashtë shteti, javë apo ditë përpara fillimit të tij. Por dhe lirimin, apo lejimin e largimit nga Shqipëria, të bosëve të tjerë si Doçët, Abdylët, apo dhe 4 oficerët e policisë, që thuhet se u gjetën në banesat e tyre gjatë kontrollit.

Gjithashtu burime thonë se 9 orë para nisjes së operacionit në botën e malavitës, u shpërnda mesazhi se operacioni me 50 arrestime, po fillon”, tha Berisha.

Duke ndjekur këtë logjikë, ish-kryeministri shtoi: “Më thoni cili nga bosët u arrestua. Operacioni pra vetëm sa paralajmëroi bosët, ikni se figuroni në regjistrat e telefonave, SKY EÇ dhe EnchroChat, në bisedat tuaja me Edi Ramën, Taulant Ballën, Erion Braçen, Ergys Agasin, Vangjush Dakon, Pjerin Ndreun, Saimir Tahirin, Bledar Çuçin, etj.

Pra në fakt, operacioni ju interesoi përveç bosëve edhe qeveritarëve të lidhur me to”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë