Politike

Berisha ngel jashtë “edhe me letra”. PD huazon deputetë për dy grupe të tjera, por jo për LSI-në

Partia Demokratike huazoi deputetët për PDIU-në dhe Partinë Republikane, që këto të dyja të kishin grupet e tyre parlamentare në Kuvend. Grupi i PDIU-së do të udhëhiqet nga Mesila Doda, ndërsa i PR-së nga Fatmir Mediu.

Grupet do të jenë të dyja me nga 7 deputetë, që do të thotë se 14 deputetë shkëputen nga grupi parlamentar i PD-së. Ndërkohë, vetë grupi parlamentar i PD-së përbëhet nga 44 deputetë, duke e çuar numrin total në 58, nga 59 deputetë që kjo parti fitoi në zgjedhjet e 25 prillit.

Emri që mbetet jashtë edhe në letra kuptohet që është ai i Sali Berishës, që i shtohet listës së deputetëve të pavarur bashkë me katër deputetët e LSI-së, që nuk formojnë dot një grup parlamentar.

Megjithatë, Berisha ndoqi vendimin e grupit parlamentar të PD për t’u larguar nga seanca dhe në dalje tha se ishte pjesë e grupit parlamentar të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë