Politike

Berisha: Nga sot jam pa imunitet, por më i fortë se kurrë  

Nga salla e Kuvendit ku jashtë protestohej ndërsa brenda deputetët e PD-së ndoqën të njëjtin skenar duke ngritur karriget e deputetëve afër podiumit para një gardhi gardistësh, Sali Berisha tha se arrestimi i tij nuk do ta mposhtë opozitën

“...Sot pas një vendimi antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, pas një vendimi antikushtetues të komisionit Rama-Brava, kërkojnë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e kryetarit të PD, duke besuar se në këtë mënyrë do të mposhtin opozitën.

Ky është një akt i shëmtuar, krim i vërtetë, por në realitet nuk do të mposhtë kurrë opozitën.

Ky akt dëshmon së pari se në Shqipëri ka një opozitë të fuqishme e cila qëndron e palëkundur kundër kësaj bande në pushtet që ka vendosur diktaturën e saj, qëndron kundër argatëve, lakejve të saj në të gjitha institucionet dhe më gjerë.

Qëndron kundër në mënyrë të padiskutueshme në fitoren e saj”, tha ai.

Më tej Berisha shtoi: “Këta të ardhme nuk kanë. Sot kanë rreshtuar me dhjetëra gardistë dhe struken prapa tyre për të mbrojtur krimin e shëmtuar që kryejnë.  Sot pra është një ditë beteje, në të cilën ne do qëndrojmë. Por kjo është edhe një ditë frymëzimi për ne, sepse atë që mendojnë ky grup narkotrafikantësh, ne do e bëjmë pluhur me lëvizjen tonë të fuqishme. Ndaj dhe thirrja o sot o kurrë për të drejtat tona, për lirinë e votës, për fitoren e opozitës”.

Berisha foli më pas ne protesten e thirrur jashtë Kuvendit për të mbyllur qëndrimin e tij ne nje prononcim per mediat nga shkallet e selise së PD.

"Sot jam më i fortë se kurrë. Harroje! E the që jam pa imunitet, të them se jam më i fortë se kurrë.

Më i vendosur se kurrë në mbrojtje të kauzës së drejtë opozitës.

Unë i garantoj shqiptarët se kjo kauzë e drejtë do triumfojë.

S'ka forcë në botë që të mposhtë idealet e demokracisë, nuk ka dhe nuk do ketë", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë