Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për protestat që po zhvillohen prej dhjetë ditësh në Tiranë kundër projektit të investimit në Zvërnec.
Duke folur para deputetëve demokratë, Berisha tha se i ka paraqitur drejtuesve të PPE-së situatën në Shqipëri si një krizë të thellë politike dhe ka mbështetur kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas tij, bien ndesh me Kushtetutën dhe direktivat evropiane për mbrojtjen e mjedisit.
“Unë paraqita situatën reale në Shqipëri ku dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit, janë ngritur me kërkesa të drejta, dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë një shkelje flagrante e ligjeve kushtetuese të vendit dhe direktivave kryesore të Komisionit Evropian për mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe mbrojtjen e natyrës”, deklaroi Berisha.
Berisha e cilësoi lëvizjen si “protestën rinore më të rëndësishme që ka njohur vendi” dhe theksoi se Partia Demokratike e mbështet plotësisht atë.
“Informova se kjo protestë nuk është thirrur nga PD, por mbështetet fuqishëm nga PD-ja”, u shpreh ai.
Deklarata përbën një paradoks politik, pasi për herë të parë Berisha duket se rreshtohet hapur në krah të një proteste që jo vetëm kërkon largimin e Edi Ramës, por artikulon gjithashtu kërkesa për përgjegjësi penale ndaj figurave kryesore të tranzicionit politik shqiptar, përfshirë vetë ish-kryeministrin.
Në fjalën e tij, Berisha kërkoi që kriza politike të zgjidhet përmes dorëheqjes së Ramës dhe krijimit të një qeverie teknike, ndërsa akuzoi kryeministrin për lidhje me krimin dhe për deformim të procesit zgjedhor.
Ndërkohë, protestat para Kryeministrisë kanë hyrë në ditën e 10-të, me organizatorët që këmbëngulin se lëvizja është qytetare, jopartiake dhe e pavarur nga forcat tradicionale politike, duke refuzuar si përfaqësimin e qeverisë, ashtu edhe atë të opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje