Politike

Berisha në krah me Këlliçin: Përballë tij garon falsi më i madh

Duke qendruar në krah të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi, Sali Berisha i kërkoi kryetarëve të degëve në kryeqytet njw mobilizim total të anëtarësisë në zgjedhje.

“...Shtrëngimi i duarve, biseda e shkurtër, takimi me me 3-4 vetë në shkallë, në shesh të pallatit, në kafene. Kjo është mënyra për të bërë gjithçka që të ndërgjegjësojmë çdo qytetar: se hajdutët nuk votohen! Se votove hajdutët, e shtyve këtë rrokullisje.

Se përveç atyre në Shqipëri të mos mbetet kush tjetër. Ka një rëndësi kapitale kjo. Dhe mos harroni se ju keni këtu pothuajse 1/3 e popullsisë. Nuk ka rëndësi më të madhe, peshë, vlerë më të madhe, sesa këtu puna juaj.

Anëtarët tanë, mbështetësit tanë në këtë betejë, duhet të kenë një plan ditor sa qytetarë do të takoj sot, 2-3, 5. Sa arrita të takoj, se nuk i gjeta. Nesër do t’i gjej, por ama me shënime. Nuk ka nevojë sot të shtojmë asgjë, ajo që mund të quhet propagandë, sot është një realitet absolut”, tha Berisha, duke u fokusuar më pas tek figura e Belind Këlliçit.

“Në Tiranë kemi një njeri, paraqesim një qytetar të vërtetë të këtij qyteti. Një demokrat, një qytetar të virtytshëm, të shkolluar, që e do qytetin, i do qytetarët.

Ka përballë falsin më të madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në karrige, nuk ka njeri më fals se Erion Veliaj. Po çfarë është falsi? Falsi është mashtrim.

Njeriu që paraqitet fals në çdo gjë, ai ka mungesë totale respekti për çdo qytetar. Një njeri që vjedh, vetëm taksa anti-kushtetuese dhe anti-ligjore e arsimit ka arritur në 42 milionë euro. Por, ai nuk njeh Kushtetutë, njeh vjedhje. Me atë taksë, ai ndërton shkolla 6 milionë euro. Ne duhet t’ja shpjegojmë, të ulemi me çdo qytetar.

Një kryetar bashkie që e ka katandisur Tiranën në një nga 10 qytetet më të ndotura në botë. Nuk e themi ne këtë, e thotë Numbeo.

Po si e katandisi?

E katandisi para së gjithash, nëpërmjet çrregullimit të qëllimshëm të trafikut, dhe nëpërmjet kullave që ndërton.

Dakord. Ti po ndërton korsi për biçikletat, shumë mirë. Por, në qoftë se ti trafikun e makinave e ngadalëson me 50%, ti u bën gjëmën njerëzve me atë, sepse ai rri në trafik dhe thith ajër të ndotur, toksik, ajër me përqendrime shumë të larta ciklopentani.

Pra, kjo është njëra anë.

Gjithçka ka bërë në këtë qytet, ky e ka bërë krejtësisht në funksion të një fasade, dhe në dëm absolut të shëndetit të qytetarëve”, tha ai, duke nënvizuar se punë e madhe është bërë deri tani me strukturat por edhe më shumë duhet bërë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë