Politike

Berisha: Emrin partisë ia ndërrojmë kur të duam ne, jo kur do Rama, ai me Bashën më kërkuan koalicion në 2021

Sali Berisha ishte të hënën në Kavajë në kuadër të turit që ka ndërmarrë nëpër Shqipëri.

“Do ta nis këtë fjalë me një thirrje zemre për çdo qytetar të Kavajës, për çdo qytetar shqiptar, të bëhemi kavajas të vitit 1990. Të ngrihemi sot siç u ngritën atë vit, djemtë, burrat, por e vërteta edhe nënat, vajzat, motrat e Kavajës, kundër më të egrës diktaturë që kishte njohur Europa”, tha ai.

Targeti i Sali Berishës ishte kryeministri Edi Rama.

“E vërteta është se këto 10 vite, ndoshta pas diktatorit Enver Hoxha, është gjëmëbërësi më i madh i Shqipërisë në histori.

Në këto 10 vite, ai në vend që të respektonte, rrëzoi një nga një shtyllat e një shoqërie të lirë. Shtyllat e një rendi demokratik.

Ai rrëzoi votën, vërsuli në katër anët e Shqipërisë banda, kriminelë, drogë, pushtet dhe çdo gjë që qytetarët të mos votojnë të lirë.

Ai vendosi një raport në Shqipëri mes votës dhe krimit, raport në të cilin, krimi shndërrohet në votë dhe vota shndërrohet në krim.

Kur të keni kohë, i hidhni sy asaj videos që unë dëshmova për Shkodrën. Kurrë ndonjëherë, Rozafa e lirisë, Shkodra nuk ka përjetuar një terror të tillë ditën e votimit.

Edi Rama fitoi Shkodrën, por Shkodrën sot e qeverisin Pëllumb Gjokat, Bajrët, Tom Doshët dhe të gjithë bandat.

Jo vetëm Shkodrën, po kështu Krujën, Elbasanin, Fierin e kështu me radhë”, tha ai.

Më tej Berisha shtoi: “Ajo që shihni në parlament është një betejë e shenjtë. Pse? A e dini se çfarë ka bërë ai kundër nesh? A e dini ju se ne si opozitarë, nuk na lë të zgjedhim përfaqësuesin tonë, por thotë se do keni Enkelejdin e tij.

A mund të imagjinoni një opozitë në parlament, që në komisione nuk ka përfaqësuesin që zgjedh, por atë që do Edi Rama.

A ka poshtërim më të madh për një opozitë se sa kjo?

Në parlament, sigurisht që blloqet janë të kundërta. Por Kushtetuta ka rregulluar të drejtat e secilit deputet dhe secilit bllok.

Kushtetuta i njeh deputetit të drejtën e hartimit të ligjit, për ju dhe në emër të interesave tuaja. I njeh të drejtën që ai ligj, të kalojë në komisione, që ai ligj të votohet në komisione, që ai ligj të vijë në parlament dhe të votohet në parlament.

Çfarë ndodhi me ne? 32 ligje, amendamente, që të gjitha mbaheshin në mënyrën më të pafytyrë në sirtarin e kryetares së parlamentit, me urdhër të Edi Ramës.

Pse ajo që shihni ju është një betejë epike për nderin dhe dinjitetin tuaj?”

Berisha hodhi akuza edhe ndaj Lulzim Bashës. “Ne nuk kemi asnjë demokrat për të humbur.

Por kërkoj mirëkuptimin tuaj, ata të cilët ndërtojnë parajsën e tyre, duke shkelmuar interesat tuaja, ata janë armiqtë tuaj, pavarësisht se me çfarë ngjyre u paraqiten ju.

Më vjen keq që po kthehem te vetja ime, kur më kërkuan mua më datën 20 prill të vitit 2021, Edi Rama dhe Lulzim Basha më dërguan të huaj në zyrë, për të më pyetur se pas këtyre zgjedhjeve, nëse PD nuk i fiton zgjedhjet, çfarë do mendoje ti për një koalicion.

Unë i thashë, nuk mund të jem unë dakord me ketë.

Pyetja e dytë, çfarë do bësh ti nëse ndodh? Do t’i kundërvihem me të gjitha fuqitë e mia. Unë një zë jam se nuk kam ndonjë funksion, por nuk do pranoj sepse kjo është një gjëmë për vendin tim, për demokracinë, për shqiptarët.

Kjo është të vrasësh çdo shpresë dhe të vendosësh një kupolë të tmerrshme mbi ta.

Kjo mjaftoi për të shpallur Sali Berishën, brenda muajit non-grata. Ajo nuk u përgatit, ishte e gatshme, por për t’u firmosur dhe unë çfarë mësova nga ajo?

Mësova se opozitën po e merrnin peng. Por tani, unë atë nuk mund ta pranoja kurrë. Sepse opozita për çdo shqiptar, që i thotë Shqipërisë, Shqipëri, është shtyllë e sovranitetit të saj.

Për atë sovranitet, shqiptarët janë vrarë, shqiptarët janë burgosur, shqiptarët janë internuar, shqiptarët kanë bërë sakrificat më të mëdha. Ai nuk mund të preket pa u shndërruar ky vend në koloni, kurrë, kurrë!”

“Opozita mendonte në vitin 2021, jo si të fitonte zgjedhjet, po si të bënte koalicion me Edi Ramën.

Me këtë segment, i cili përfaqësohet nga ai që quhet Lulzim Brava, ne nuk mund të pajtohemi kurrë”, vijoi ai.

Nje sigel e re? "Pse don Edi Rama të marrim emër tjetër. Jo mo, do përballemi me të ne. Sepse ne jemi në të drejtën e Zotit dhe nuk do pranojmë kurrë.
Kur ta ndërrojmë emrin, e ndërrojmë vete ne, jo të na e ndërrojë një armik si ai".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë