Politike

Berisha mbledh Kryesinë: Në kushtet e reja duhet të përshtatemi! Heqja e imunitetit, e vetmja mënyrë që regjimi të mos përballet me opozitën

Nga Gazeta 'Si'- Pak orë pasi Parlamenti votoi për heqjen e imunitetit, ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi kryesinë e partisë.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se imuniteti iu hoq, pasi sipas tij kjo ishte e vetmja mënyrë që regjimi të mos përballet me opozitën.

“Kjo mbledhje kryesie thirret në momentet më të jashtëzakonshme në historinë e forcës tonë politike, momente kur regjimi i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, pasi e demaskuam dhe e demaskojmë çdo ditë për lidhjet e tij me krimin, për dhunimin në parlament dhe kudo të të drejtave të opozitës dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, për vjedhjet e mëdha, shkretimin e Shqipërisë nga qytetarët shqiptarë, mendoi se zgjidhja e këtij demaskimi është arrestimi i kryetarit të PD, me të cilin Edi Rama dhe kushdo tjetër, e ka të qartë se nuk mundet kurrë të bëjë pazare.

E vërteta është se ne si opozitë, jo për dëshirën tonë, por për ndërhyrjet dhe përpjekjet për të lënë Shqipërinë pa opozitë faktikisht, kaluam një periudhë shumë të vështirë, por përsëri me gjithë vështirësitë e mëdha, me gjithë forcën e madhe të korrupsionit transnacional, korrupsion i cili u përdor për shkatërrimin e opozitës shqiptare, kjo nuk ndodhi dhe opozita erdhi duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë”, deklaroi ai.

Berisha kërkoi që demokratët të ripërshtaten me kushtet e reja.

“Duhet konceptuar qëndresa”, thotë ai.

Më tej, ai shton se duhen gjetur njerëzit e guximshëm pasi vetëm përmes tyre mund të “thyhet akulli i frikës”.

"Në asnjë rrethanë ne nuk mund të zmbrapsemi, por në kushte të reja të diktuara, në mënyrë të shpejtë nga regjimi natyrisht kërkohet një ripërshtatet e shpejtë e jona në këto kushte. Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojnë", deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë