Politike

Berisha këmbëngul: 7 korriku, protestë kundër bordeve komuniste të çmimeve

Sali Berisha e prezanton protestën e thirru më 7 korrik jo vetëm si protestë politike e të Partisë Demokratike.

“Si protestë e mbarë qytetarëve shqiptarë. Nuk ka dyshim se roli i PD-së në organizimin e kësaj proteste është përcaktues, por PD shkon në këtë protestë me një koalicion të gjerë me shoqërinë civile, me personalitetet aktive në jetën publike dhe me forca politike opozitare të vërteta, parlamentare dhe jashtë parlamentare”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri mblodhi Kryesinë e partisë këtë të martë dhe u la një porosi anëtarëve.

“Ajo që kërkoj është intensifikimi maksimal i përpjekjeve tona që kjo protestë të shprehë të gjithë shqetësimet e mëdha, problemet madhor me të cilat përballen sot shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi ai.

Shqetësimi kryesor, sipas Berishës, sot janë çmimet dhe vendosja abuzive e tyre, sipas tij, nga bordet e ngritur nga Qeveria.

“Nuk ka dyshim se problemi më kryesor është një lak në fytin e shqiptarëve që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë nga çmimet stratosferike të bordeve komuniste të qeverisë së Edi Ramës. Unë mund t’u them shqiptarëve se bordet për llogari të qeverisë dhe të oligarkëve janë shndërruar në një mekanizëm gjakpirës, të cilët rrisin çmimet jashtë çdo lloj logjike të tregut”, u shpreh ai.

"Bordet janë bërë në një zëdhënëse e shfrytëzimit të shqiptarëve", tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë