Politike

Berisha: Jo marrëveshje me Edi Ramën! SHISH i fsheh raportet e drogës Metës

Në kulmin e zërave që gëlojnë edhe në korridoret e politikës dhe që flasin për një marrëveshje të mundshme Rama-Basha, një zë i fortë nga opozita del kundër një pakti të tillë. Ai është Sali Berisha.

Berisha e cilësoi “vrasje mëshire” të sistemit një koalicion të mundshëm PS-PD, që mund të çojë vendin në zgjedhje të reja. Duke folur në emisionin Opinion, ish-Kryeministri tha se nuk do ta miratonte një lëvizje të tillë të Lulzim Bashës.

“Nuk mund ta fus (Partinë Demokratike) në një inkubator me viruse. Në të gjithë vlerësimin tim, një koalicion i tillë do të ishte asgjë tjetër veçse goditja e mëshirës për sistemin shqiptar, sepse nuk mund ta quaj më demokratik. Goditja e mëshirës për ta varrosur përfundimisht atë që deri dje quhej demokraci por që sot është narko-shtet. Një koalicion i tillë do shuante çdo shpresë tek shqiptarët për të marrë rrugën e standardeve rrugën e shtetit ligjor”, u shpreh ai.

E vetmja rrugë e Partisë Demokratike, Berisha tha se është largimi i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës nga pushteti si përgjegjësi kryesor i situatës aktuale.

Berisha u ndal edhe tek raportet sekrete që përflitet se Shërbimi Informativ Shtetëror i ka dorëzuar Presidentit të Republikës më 7 qershor, një ditë para se Ilir Meta të dilte me një njoftimin se kishte vendosur të anulonte 30 qershorin si datë zgjedhjesh.

Në këtë raport, Ilir Meta thotë se kishte marrë informacione për dhunë dhe përpjekje për djegien e sallës së Parlamentit nga një grup personash që duke shfrytëzuar protestën e opozitës më 8 qershor synonin destabilizimin e vendit.

Berisha u shpreh i bindur se një raport i tillë i ka mbërritur kreut të shtetit dhe se ai nuk ka pse të gënjejë për raporte të tilla. Por, Berisha tha se raportet e shërbimeve inteligjente mbi përmasat e kultivimit të drogës në vend nuk po i dorëzohen Ilir Metës.

“Droga këtë vit ka një përhapje të jashtëzakonshme. SHISH raportin që i dërgon Kryeministrit ia fsheh Presidentit. Duke qenë se iu dogji herën e parë, që ia çoi Presidentit se 130 oficerë të lartë merren me trafik. Shërbimi këtë herë e bërë të saktë raportin, por i ka çuar tjetër raport Kryeministrit dhe tjetër raport Presidentit”, vijoi Berisha.

Ish-Kryeministri këmbëngul se e vetmja rrugë për opozitën është qëndresa ndaj kësaj qeverie dhe protestat deri në rrëzimin e Edi Ramës.

Sali Berisha është kundër një koalicioni mes PS-së dhe PD-së për të zgjidhur krizën politike. Në emisionin Opinion, ish kryeministri tha se nëse do të bëhej një koalicion kjo do të ishte goditja e mëshirës, për ta varrosur përfundimisht atë që deri dje quhej demokraci por që sot është narko-shtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë