Politike

Berisha i kthehet sherrit me Ramën: I kërkoj falje djalit të tij

Thuajse një javë pas tensionit dhe fyerjeve që kaluan në akuza personale dhe familjare në Kuvend, mes tij dhe kryeministrit Rama, Sali Berisha pranon se i vjen keq për atë që ka ndodhur, por nga ana tjetër, thotë se ka treguar disa të vërteta që publiku duhet t’i dijë.

Ish-kryeministri shqiptar deklaron se i kërkon falje djalit të Edi Ramës, i cili u përfshi në këto akuza, por pohon se dosjen nuk e ka nxjerrë ai.

“I bëra Ramës një pyetje për zonjën e tij, nëse ka aksione apo opsione në një bankë në Tiranë dhe mora një përgjigje të një njeriu që u ç’fazua në mënyrë të papërgjegjshme. Nuk ia përmenda djalin në fillim apo të atin. Sa herë që kapet me vjedhje tenderësh, thotë më ke sulmuar djalin, më ke sulmuar babën… Ai e kaloi në personale. Unë s’i kam pasur dosjet, por po ti kisha pasur, do ia nxirrja”, - theksoi ai në emisionin “Tempora”.

Megjithatë, si për ta mbyllur këtë histori, Berisha i kërkon falje djalit të kryeministrit, për të cilin thotë se ndien keqardhje.

“I kërkoj ndjesë të birit, por jo se do kurseja të atin, një njeri si Rama, i cili nuk i jep kafshatën djalit, sepse Rama është ai që dramën e krimin e përdor për t’u viktimizuar, sepse i biri është krejt tjetër, por sa herë ta përdorë Rama emrin tim, unë jam i detyruar t’i them se je monstër si njeri, që e ke bërë këtë akuzë. Për të birin e tij kam një respekt për një rrethanë të veçantë, se ka mund një sëmundje”.

Duke u kthyer te marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, Berisha i jep të drejtë kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Në politikë duhen marrë vendime të mëdha, për të mirën e vendit. Edhe unë, po të isha në vend të Bashës, do ta kisha bërë atë marrëveshje, edhe pse Rama devijoi dhe nuk mbajti fjalën…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë